Connect with us

Rajon

“As në tokë e as në qiell shqiptarët nuk do të ekzistojnë!”

Shkrime anti-shqiptare dhe gjuhë urrejtjeje janë shfaqur në Maqedoninë e Veriut pak ditë pas protestës së studentëve që kërkonin mbajtjen e provimeve të lirimit në gjuhën shqipe. Në një fotografi që qarkullon në rrjetet sociale, shihet në qendrën sportive “Forca” në Shkup mbishkrimi “As në tokë e as në qiell shqiptarët nuk do të ekzistojnë!”.
Sipër shkrimit është dhe një simbol që duket si një variant i stilizuar i një rune ose shenje nacionaliste që përdoret në grafite ekstremiste. Forma e tij ngjan me një vijë vertikale me dy prerje diagonale, e ngjashme me simbole që grupet ultra-nacionaliste në Ballkan i përdorin për intimidim ose propagandë.
Fotografia është shpërndarë edhe nga disa eksponentë politikë, ndërsa qytetarët dhe organizatat kërkojnë llogari nga institucionet kompetente. Deri tani, organet e shtetit nuk kanë reaguar për këtë akt, duke lënë vend për shqetësim mbi mungesën e përgjegjësisë për gjuhën e urrejtjes.
Kohët e fundit janë shtuar thirrjet anti-shqiptare në hapësira publike, ndërsa më parë, në një sallë sportive, tifozeritë maqedonase kanë bërë thirrje fyese kundër shqiptarëve. Ky fenomen po rrit tensionet ndër-etnike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për parandalimin e përshkallëzimit./joq
Advertisement