Bota
“Ata do na sulmonin, ne vepruam të parët”/ Çfarë u diskutua në takimin Trump-Merz
Në një deklaratë nga Zyra Ovale ku priti në takim kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenti Donald Trump kundërshtoi pretendimet se planet e Izraelit për të sulmuar Iranin e shtynë SHBA-në të ndërmerrte goditje ushtarake.
Ai tha se, përkundrazi, mund të ketë qenë SHBA që e ka detyruar Izraelin të veprojë.
“Ata do të sulmonin nëse ne nuk do ta bënim. Do të sulmonin të parët, unë isha i bindur për këtë,” deklaroi Trump.
Ndër të tjera, presidenti i SHBA-së deklaroi se “skenari më i keq” për Iranin do të ishte që pushtetin ta merrte “dikush po aq i keq sa personi i mëparshëm”.
“Kjo mund të ndodhë. Ne nuk duam që të ndodhë. Do të donim të shihnim dikë që t’ua kthejë vendin njerëzve dhe pastaj do të shohim çfarë ndodh.”-tha ai.
Ai shtoi se disa nga kandidatët për udhëheqje, të cilët administrata amerikane i kishte marrë në konsideratë, tashmë janë vrarë. “Shumë shpejt nuk do të njohim më askënd,” u shpreh ai.
Sipas Trump, një figurë nga brenda sistemit mund të ishte më e përshtatshme për të drejtuar vendin. “Do të dukej më e arsyeshme që dikush nga brenda të ishte më i përshtatshëm, nëse ekziston një person i tillë. Ne kemi njerëz të tillë… më të moderuar,” deklaroi ai.