Kronike
Atentati me tritol në Gjirokastër, viktima dyshohet se u ndoq për rreth 3 kilometra
Detaje të reja dalin në dritë nga atentati me eksploziv në Gjirokastër, ku Beqir Devolli, i njohur me nofkën “Çilo”, humbi jetën gjatë transportimit drejt Tiranës, ndërsa Erigers Mela mbeti i plagosur.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se lënda plasëse është aktivizuar në distancë, me telekomandë. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu dyshimet se autorët mund ta kenë ndjekur viktimën që nga zona e Viroit, për rreth 3 kilometra, deri në vendin ku ndodhi shpërthimi.
Raportohet se Devolli kishte konsumuar kafe me një mikun e tij përpara se të hipte në automjetin tip “Mercedes-Benz”, i cili shpërtheu në lëvizje pranë ambienteve të Policisë së Gjirokastrës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima dhe pasagjeri dyshohet se kishin marrë telefonata kërcënuese. Mela, ndërkohë, kishte mbetur i përfshirë në një ngjarje të mëparshme, kur automjeti i tij u dogj vitin e kaluar në Gjirokastër.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit është mënyra e organizimit të atentatit dhe momenti i aktivizimit të eksplozivit, në një zonë pranë institucioneve të sigurisë.
Në kuadër të hetimeve, po shqyrtohen edhe pista të mundshme që mund të lidhen me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura së fundmi në jug të vendit, përfshirë vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë. Deri më tani, këto lidhje mbeten në nivel dyshimesh dhe kërkojnë verifikim nga organet hetimore.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të përcaktuar autorët, motivin dhe dinamikën e plotë të atentatit.