Connect with us

Aktualitet

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Nga sulmi mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, ndërsa u plagosën ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”. Për të pandehurin Julian Meçe, GJKKO vendosi dënimin me 35 vite burg.

Edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar të njëjtat dënime, duke akuzuar Plaurent Dervishajn, të cilësuar si pjesë e të ashtuquajturës “banda e Durrësit”, se organizoi atentatin e ndodhur më 1 Nëntor të 2019-tës në bashkëpunim me Julian Meçajn dhe persona të tjerë, mes tyre Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Për këta të fundit procesi gjyqësor vijon në një dosje të veçantë.

Dervishaj dhe Meçaj u arrestuan në Dubai dhe në muajin gusht 2024 u ekstraduan drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë. Sipas akuzës, Dervishaj ishte organizatori i atentatit, ndërsa Meçaj një prej autorëve që hapi zjarr ndaj automjetit.

Hetimet e SPAK zbardhën plotësisht atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, pas analizimit të komunikimeve të siguruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC, i përdorur gjerësisht nga grupe të krimit të organizuar.

Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, kur Arjan Ndoja udhëtonte me shoferin e tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon, i njohur me nofkën “Rrumi”. Nga atentati humbi jetën Maloku, ndërsa Ndoja dhe Laho mbetën të plagosur.

Advertisement