Connect with us

Kronike

Automjeti del nga rruga, plagosen rëndë familja prej 7 anëtarësh

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin që të çon drejt Malit të Tomorrit, në fshatin Kapinovë të Beratit, ku një automjet ka dalë nga rruga duke lënë të plagosur gjashtë persona.

Të lënduarit, të gjithë familjarë të drejtuesit të mjetit, janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Berat. Pesë prej tyre kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë larguar nga spitali, ndërsa drejtuesi i automjetit dhe bashkëshortja e tij kanë pësuar dëmtime më të rënda.

Çifti është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka pësuar dëmtime në zonën e syrit.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Dyshimet paraprake janë se shkak mund të ketë qenë një defekt teknik në automjet, pasi gjatë ngjitjes drejt Malit të Tomorrit mjeti dyshohet se ka pësuar problem me sistemin e frenimit dhe ka rrëshqitur nga rruga.

Advertisement