Aktualitet
Avokati Karaj zbulon emrat që fshihen pas investimit në Zvërnec
Avokati Leonard Karaj ngriti në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV dyshime të forta mbi pronësinë reale të kompanisë qe eshte e lidhur me projektin e zhvillimit në zonën e Sazanit.
Sipas Karajt, kompania rezulton e regjistruar në Shqipëri, por zinxhiri i pronësisë çon drejt një kompanie në Holandë, ku dy nga aksionarët janë shtetas me origjinë ruse dhe ukrainase, ndërsa tre pronarë të tjerë figurojnë të regjistruar në juridiksione offshore, duke e bërë të paqartë identitetin e përfituesve përfundimtarë.
Karaj deklaroi se, sipas informacioneve jozyrtare dhe një investigimi mediatik të mëparshëm, pas kësaj strukture pronësie dyshohet se mund të qëndrojë një personazh i njohur i botës kriminale, i përmendur me emrin Artur Shehu. Ai pretendoi gjithashtu se në proces është përfshirë edhe një përfaqësues ligjor, për të cilin tha se ka pasur probleme me drejtësinë në të kaluarën.
Sipas deklaratave të bëra në studio, prona në fjalë më pas është përfshirë në projektin e investimit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa zona ka kaluar nga statusi i mbrojtur drejt një statusi zhvillimi.
Pretendimet e ngritura nga Karaj nuk janë konfirmuar nga institucionet shtetërore dhe mbeten pjesë e debatit publik mbi transparencën e pronësisë dhe investimeve strategjike në Shqipëri.