Aktualitet
Babai i Ervis Martinajt kundër SPAK: Nuk duan të zbardhin zhdukjen e djalit tim
Babai i Ervis Martinaj, Mustafa Martinaj, është paraqitur ditën e sotme për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në procesin për pasuritë e të birit. Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve. Pas daljes nga gjykata, Mustafa deklaroi për gazetarët se autoritetet nuk duan të zbardhin zhdukjen e Ervisit, duke thënë: “I kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë, por askush nuk është interesuar që atëherë.”
Ervis Martinaj, i njohur si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, kishte ndërtuar një perandori të lojërave të fatit dhe basteve sportive përmes kompanive të tij “King Casino” dhe “Albania Baste Live”. Ai u bë objekt hetimesh të SPAK dhe policisë për pastrim parash, veprimtari të paligjshme dhe lidhje me krimin e organizuar. Emri i tij lidhet edhe me ngjarje kriminale, përfshirë një përplasje me armë në ish-Bllok në vitin 2018, ku një person humbi jetën dhe vetë Martinaj u plagos.
Martinaj rezulton i zhdukur që nga 8 gushti 2022, kur u pa për herë të fundit në Tiranë pranë zonës së “Zogut të Zi” dhe u largua me një automjet luksoz. Autoritetet shqyrtojnë dy pista kryesore: një vrasje nga grupe kriminale kundërshtare ose një zhdukje e inskenuar për të shpëtuar nga ndjekja penale. SPAK ka nisur hetime financiare, duke sekuestruar prona, llogari bankare dhe biznese të lidhura me Martinajn dhe familjarët e tij, me vlera që kapin miliona euro.