Politike
Balla në Kavajë: Fasoneria përfitojnë financim deri në 200 milionë lekë
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, ka vizituar një sipërmarrje tekstile në Kavajë, ku u ndal te rëndësia e mbështetjes së bizneseve prodhuese përmes programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë vizitës në kompaninë e Ylli Elmazit, Balla theksoi se edhe sektori fason mund të përfitojë nga kjo skemë financimi, e cila synon të nxisë investimet, rritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve shqiptare.
Sipas Ballës, programi parashikon mundësi të reja financimi për bizneset përmes garancisë sovrane deri në 70%, normave të interesit preferenciale prej 2–3% dhe financimeve deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues.
Këto fonde, sipas tij, krijojnë mundësi për investime në teknologji, pajisje moderne, rritje të prodhimit dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, përfshirë industrinë përpunuese, bujqësinë dhe turizmin.
“Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ krijon një mundësi konkrete që bizneset shqiptare të investojnë më shumë, të rrisin prodhimin dhe të bëhen më konkurruese në treg”, u shpreh Balla.
Ai vlerësoi sipërmarrjet që investojnë në prodhim dhe krijimin e vendeve të punës, duke theksuar se mbështetja e biznesit mbetet një nga prioritetet për zhvillimin ekonomik.
Sipas tij, fuqizimi i kompanive vendase dhe rritja e kapaciteteve prodhuese janë elementë të rëndësishëm për një ekonomi më të qëndrueshme dhe për më shumë punësim në vend.