Connect with us

Aktualitet

Balla prezanton kreun e ri të AMP, kush e zëvendëson Ardi Veliun (EMRI)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka prezantuar ditën e sotme Drejtorin e Ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), vend i mbetur vakant pas dorëheqjes së Ardi veliut.

Kreu i ri i AMP do të jetë Florjan Sulejmani, i cili ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare

Ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si kusht i domosdoshëm për këtë pozicion drejtues dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.

Fjala e ministrit Balla:

Të nderuar punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore,

Jemi këtu sot për të prezantuar Drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por më lejoni së pari të shpreh një falënderim dhe vlerësim të sinqertë për punën e deritanishme të Agjencisë nën drejtimin e zotit Rrumbullaku, të zotit Veliu dhe në këto pak javë edhe nga Dritani (Dorda).

E vlerësoj maksimalisht punën e deritanishme së bashku me ju, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra.

Besoj pas 130 ditëve së bashku më keni dhënë të drejtë për çfarë i thashë drejtuesve të Policisë së Shtetit, ditën e parë në detyrë.

Një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sa nga këta 260 punonjës policie keni arrestuar apo proceduar si të përfshirë apo mos-veprim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike.

Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Në këto 4 muaj e pak së bashku kam vlerësuar rritjen dita ditës së forcës goditëse.

Po ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës me grada të ulëta ndërsa fare pak me grada më të larta.

Besoj se jemi të gjithë dakord, bashkë me pritshmëritë e publikut, se ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri dhe standard më të lartë procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, dhe të subjekteve të tjera ndaj të cilëve ushtron mbikëqyrje AMP-ja, siç janë Garda e Republikës dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Siç e kam thënë: lufta kundër korrupsionit nuk nis nga jashtë nesh, por së pari brenda nesh.

Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm.

Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.

Nuk dua ta harroni për asnjë moment se roli i AMP është jetik. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai I kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur.

Kur një vajzë, një grua, një nënë denoncon një rast dhune, dhunë seksuale, dhunë me bazë gjinore, veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, sipas një protokolli të detajuar mirë. Ju takon ju të verifikoni çdo rast, derisa të mos guxojë më askush brenda policisë të mbajë anën e dhunuesve duke mos regjistruar kallëzimin dhe duke mos marrë menjëherë në mbrojtje viktimën.

Po ashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të marrë rolin e vet sa i takon Paketës së Sigurisë në shkolla, kopshte, çerdhe. Shkoni dhe verifikoni a e ka bërë Policia e Shtetit detyrën e vet.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të fitojë në terren – me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit, bashkëjetesës me krimin – besimin e publikut dhe partnerëve tanë, kjo edhe falë bashkëveprimit në rritje me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçante me SHISH dhe SPAK.

Komunikimet në aplikacionet e koduara që implikojnë oficerë të Policisë së Shtetit janë dëshmi e qartë e nevojës për një punë intensive e pa kompromis të AMP-së, për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë së Shtetit,

dhe për t’i dhënë dinjitetin dhe respektin e merituar në shoqëri kësaj organizate, që ka në gjirin e saj qindra e mijëra të rinj e të reja që punojnë me dedikim, pasion e profesionalizëm krah qytetarëve.

Sa i përket fenomenit të aplikacioneve të koduara, kam kërkuar që verifikimi i përdorimit të këtyre aplikacioneve nga punonjësit e policisë të jetë pjesë e formularit të vetë-deklarimit të kryer nga çdo punonjës e që, në rast deklarimi të rremë, do të pas-sjellë përjashtimin përfundimtar të tij nga radhët e policisë.

Vettingu i drejtuesve të Policisë është po ashtu një proces i rëndësishëm që duhet të ecë me ritme të shpejta, në përmbushje të pritshmërive të publikut për institucione me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve.

Procesi i vettingut duhet të jetë një tregues i pastrimit të Policisë, proces i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, por mos e harroni asnjëherë është një kusht i madh që AMP duhet të përmbushë për seriozitetin, paanshmërinë në drejtim të kryerjes të këtij procesi kaq të rëndësishëm.

Kush nuk tërhiqet nga procesi i vettingut, nuk ka më vend në asnjë karrige në Policinë e Shtetit.

Duke kaluar te prezantimi i Drejtorit të ri, jam i kënaqur që për herë të parë, e pavarësisht se kjo procedurë nuk ishte e parashikuar në ligj, ne hapëm një procedurë konkurrimi publike për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë.

Falënderoj partnerët tanë – ICITAP dhe EU4LEA – për mbështetjen gjatë gjithë këtij procesi përzgjedhjeje dhe gjithashtu edhe të gjithë kandidatët për besimin që i dhanë procesit. Niveli i kandidatëve që aplikuan ishte i lartë dhe me ata që u përzgjodhën në listën e 5 të parëve do të kem mundësinë dhe kënaqësinë t’i ftoj në takim për të vlerësuar forma bashkëpunimi me Ministrinë dhe AMP-në.

Florjan Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare.

Ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si kusht i domosdoshëm për këtë pozicion drejtues dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.

Aktualitet

VOA për operacionin e SPAK: Hetimet e Prokurorisë së Posaçme godasin 7 grupe të rrezikshme kriminale

Në Shqipëri, një nga hetimet më të rëndësishme dhe më të mëdha të kryera deri tani nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka mundur të dokumentojë disa raste vrasjesh dhe tentativash për vrasje, ku janë përfshirë 7 ndër grupet më të rrezikshme kriminale në vend dhe emrat më në zë të botës së krimit. Hetimet janë shtrirë dhe në disa shtete europiane, falë koordinimit me Europol-in edhe në fazën e operacionit të nisur që mëngjesin e ditës së djeshme.

Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhëra arresti, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjike, falë bashkëpunimit me autoritetet e këtyre vendeve. Një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhëra arresti, ndodhen prej kohësh jashtë vendit. Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.

Nga hetimet, ka dalë në dritë dhe përfshirja e disa punonjësve të policisë, ish Drejtorit të Lezhës Henrigert Mitri, aktualisht në Drejtorinë qendrore të policisë, dhe ish shefit të seksionit të trafiqeve dhe narkotikëve në këtë qytet, edhe ai aktualisht në detyrë si oficer policie, të dy të lidhur me një nga grupet kriminale dhe të angazhuar në kultivimin e bimëve narkotike. Po ashtu, hetimet kanë çuar dhe në zbulimin e lidhjeve me grupet kriminale të dy ish efektivëve të forcave speciale.

 

 

Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve. Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash./ VOA

Continue Reading

Aktualitet

Pronari i hotelit në Dhërmi ndërron jetë në spital, e zuri korrenti bashkë me dy punonjësit

Aldo Metani, pronari i hotelit në Dhërmi që ra në kontakt me energjinë elektrike ka ndërruar jetë në spital.

Pronari i hotelit ‘Hilton’ dhe dy punonjës të tij ranë në kontakt me rrymën elektrike teksa po kryenin disa punime me ndriçimin e jashtëm të hotelit pasditen e sotme.

Mësohet se dy punonjësit E.H. dhe K.N., janë në gjendje të rëndë në spital.

Tre shtetasit pas kontaktit me energjinë elektrike u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, por pronari i hotelit nuk ia doli. Mbetet për t’u parë në vijim gjendja e dy punonjësve të tjerë.

“Rreth orës 17:25, në Dhërmi, shtetasit A. M, E. H, dhe K. N, (pronari dhe 2 punonjës të një hoteli), dyshohet se duke punuar me ndriçimin e jashtëm të hotelit, aksidentalisht kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë janë dëmtuar. Të tre shtetasit janë tr”, njoftoi më herët policia.

ansportuar për ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëveSakaq, grupi hetimor shkoi tek hoteli për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Continue Reading

Aktualitet

Lihen në burg në Angli dy kriminelët shqiptarë! Kalonin ilegalisht emigrantë me kamion dhe avionë të vegjël

Dy kriminelë shqiptarë nga Londra Lindore, të cilët organizuan kontrabandimin e emigrantëve në Britaninë e Madhe duke përdorur kamionë dhe avionë të vegjël, janë dënuar në total me pesë vjet e dy muaj.

Dyshja u dënuan në mars të këtij viti, pas një hetimi të gjatë tetë-vjeçar nga Agjencia Kombëtare e Krimit mbi aktivitetet e një sindikate të rëndësishme shqiptare të krimit të organizuar.

Shtetasit shqiptarë Myrteza Hilaj, 50 vjeç dhe Kreshnik Kadena, 37, të dy nga Leyton, kanë organizuar të paktën nëntë udhëtimesh me emigrantë nga 2016 deri në 2017, ku tre prej të cilave ishin nëpërmjet një avioni në një aerodrom në Essex. Hilaj ishte koordinatori i MB për grupin shumëkombësh të krimit të organizuar.

Në vitin 2017, oficerët e NCA parandaluan dhe kapën një numër kalimesh nga Evropa, duke punuar ngushtë me homologët francezë dhe belgë. Shumë prej emigrantëve kishin të ruajtur numrin e Hilajt në telefon dhe kishin komunikuar drejtpërdrejt me të ose me kontakte të përbashkëta.

Provat telefonike zbuluan se dyshja ishin drejtuesit e një rrjeti kriminal që i merrnin emigrantëve shqiptarë rreth 10,000 £ për secilin për të hyrë në MB dhe më pas i ndihmonin ata të gjenin një vend për të jetuar. Kjo përfshinte sigurimin e tyre me pasaporta të falsifikuara, karta identiteti dhe fatura false të shërbimeve.

Hilaj siguroi që automjetet që transportonin emigrantët të mbërrinin në një vend të sigurt në MB dhe pasi t’i linin, të ktheheshin pa ngjallur dyshime. Ai ishte gjithashtu në kontakt të rregullt me ​​emigrantët e paligjshëm para dhe gjatë udhëtimit të tyre.

Kadena veproi si asistent i tij dhe ishte i përfshirë kryesisht në kontrabandimin e emigrantëve duke përdorur avionë të vegjël. Më 9 korrik 2017, ai ndihmoi gjatë një fluturimi që transportonte një numër të panjohur emigrantësh nga Calais në Essex, duke udhëtuar vetë drejt aeroportit Stapleford për të mbledhur dhe transportuar emigrantët nga fusha ajrore pasi të kishin zbritur.

Një fluturim i planifikuar më 17 korrik 2017 u kap nga policia franceze përpara se avioni të ngrihej nga fusha ajrore e Marck pranë Calais. Katër emigrantë, përfshirë një fëmijë, u ndaluan të sigurt. Piloti dhe lehtësuesi i Mbretërisë së Bashkuar u arrestuan të dy, pasi ky i fundit ka qenë në kontakt të shpeshtë me Kadenën. Të dy u akuzuan dhe u dënuan në Francë.

Në të njëjtën ditë, pas përgjimit në Francë, oficerët e mbikëqyrjes së NCA vëzhguan Hilajn dhe Kadenën në një takim “fallout” në një pijetore.

Hilaj dhe Kadena u arrestuan më 26 korrik 2017 në adresat e shtëpive të tyre nga NCA. Hilajt iu gjetën një sërë dokumentesh identiteti false, të cilat ai planifikoi t’ua dorëzonte emigrantëve që i ndihmoi. Në një nga telefonat e tij, oficerët zbuluan mesazhe në të cilat ai kishte korrigjuar gabimet e shtypjes në dokumente false, si dhe kërkime në internet në lidhje me ndalimi i avionit më 17 korrik.

Kadena u gjet me një sasi të vogël kanabisi, si dhe një foll sigurie për portën në Stapleford Airfield.

Hilaj dhe Kadena u dënuan sot në Southëark Croën Court me përkatësisht tre vjet e gjashtë muaj dhe një vit e tetë muaj.

Rezultati shënon fundin e një hetimi tetë-vjeçar të NCA – të koduar Operacioni Micropus – ndaj një grupi të krimit të organizuar shqiptar të përfshirë në lehtësimin e migracionit të paligjshëm, pastrimit të parave, trafikut të drogës dhe furnizimit me dokumente të falsifikuara.

Continue Reading

Aktualitet

Martinaj i zhdukur apo i vdekur? Hoxha: Eliminimi i tij, rezultat i aleancës së grupeve kriminale me interesat politike

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje lidhur me zhdukjen e ish drejtuesit të lojërave të fatit në vend, Ervis Martinajt.

Hoxha u shpreh se ai i qëndron një versioni të mëhershëm të tijit, ku shprehet se Martinaj është rrëmbyer, ekzekutuar dhe trupi i tij më pas është zhdukur

Ai shpjegoi më tej se ka dyshime se një emër i botës së krimit është përfshirë në eliminimet e Brilant dhe Ervis Martinajt duke qenë pjesë e një aleance të madhe të grupeve kriminale në vend.

“Ky është një hetim i cili e ka fillimin te procedimi 59 i vitit 2022, që nis nga zhdukja e Ervis Martinajt. Unë i qëndroj versionit që është rrëmbyer, ekzekutuar dhe kufoma është zhdukur, Policia ka kërkuar 2 muaj me polumbarë në det dhe më pas është kërkuar për 3 muaj në tokë pasi mendohet se kufoma e tij është në një rreze prej 3 km larg Fushë Kuqes.

 

 

Për mua, e gjithë kjo panoramë e ka zanafillën nga Ervis Martinaj. Nëse aty do ketë edhe një emër që ne e kemi përmendur shumë rrallë, ky vepron zakonisht rreth Kamzës, por është shfaqur në arratisjen nga burgu të Admir Tafilit, kur ka qenë vetëm 19 vjeç. Nuk ka qenë shumë i njohur deri në eliminimin e Brilant dhe Ervis Martinajt. Nëse ky emër do jetë i përfshirë në këtë mozaik do plotësonte gjithë kuadrin dhe do kishim një aleancë të madhe të grupeve kriminale që ishin edhe armiq edhe aleatë, madje janë bërë prapë armiq pasi është zhdukur Ervis Martinaj. Gjithë ky pazëll që është krijuar, këto grupe për shkak të interesave janë bashkuar, edhe me interesa politike, dhe kanë realizuar eliminimin e Ervis Martinajt dhe organizatës së tij. Ndaj është kontrolluar edhe shtëpia e Ervis Martinajt”, u shpreh ai.

Continue Reading

Aktualitet

U fut për t’u larë, 25 vjeçari polak rrezikoi të mbytet te Liqeni i Tiranës

Një 25 vjeçar nga Polonia është futur ditën e sotme në Liqenin Artificial të Tiranës ku ka rrezikuar të mbytet.

Ai është transportuar në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Më datë 18.05.2024, rreth orës 16:00, te Liqeni Artificial i Tiranës, është futur në liqen dhe dyshohet se ka rrezikuar të mbytet shtetasi polak F. M., 25 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes

Continue Reading
Advertisement

TRENDING