Connect with us

Kosova

Banjska në bankën e gjykimit/ Vuçeviç: Serbia nuk do të qetësohet derisa të lirohen serbët e dënuar në Kosovë

Deklarata e kryetarit të Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, se autoritetet serbe “nuk do të qetësohen derisa të lirohen serbët e dënuar për Banjskën”, ka nxitur reagime të forta në Serbi, ku analistë, opozitarë dhe përfaqësues serbë nga Kosova e kanë cilësuar atë si retorikë nxitëse, pa mbështetje reale politike apo juridike.

Reagimet erdhën pasi Vuçeviç deklaroi se ‘nuk ka fund lufta’, dhe se Serbia nuk do të ndalet derisa të lirohen të dënuarit.

Politikani serb Millosh Stankovië, tha për median serbe ‘Danas’ se deklarata e Vuçeviçit është vazhdimësi e narrativës radikale serbe që, për 18 vjet ka prodhuar vetëm degradim politik dhe moral.

Ai argumentoi se vetë institucionet që sot po gjykojnë serbët për Banjskën janë, sipas tij, produkt i politikave që kanë ndërtuar autoritetet aktuale në Beograd.

Në të njëjtën linjë, Rada Trajkoviç, presidente e Lëvizjes Evropiane në Kosovë, e quajti deklaratën e Millosh Vuçeviçit si “boshe” dhe pa efekt për vetë të dënuarit dhe familjet e tyre.

Edhe Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe me Kosovën tha se qytetarët nuk i besojnë më deklaratave patriotike dhe pa rezultate konkrete të Beogradit, duke shtuar se mesazhe të tilla sot prodhojnë më shumë skepticizëm sesa shpresë.

Politologu i njohur Ognjen Gogiç e interpretoi deklaratën e Millosh Vuçeviçit si një mesazh i destinuar kryesisht për elektoratin e SNS-së, duke thënë se pas saj nuk pritet asnjë veprim konkret.

Advertisement