✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Bardhi i del në mbrojtje Erion Braçes: Ai e ngirti zërin, të tjerët heshtën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për debatin rreth votës së deputetit socialist Erion Braçe për Hartën e Re Territoriale. Bardhi e zhvendosi vëmendjen te përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama për shkrirjen e 15 bashkive.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Bardhi tha se Braçe ishte i vetmi deputet socialist që kundërshtoi publikisht hartën e re dhe argumentoi kundër saj në seancën plenare. Sipas tij, debati publik duhet të përqendrohet te vendimmarrja e kryeministrit dhe pasojat e saj, jo te vota e Braçes.

Bardhi pretendoi se harta e re rrezikon të thellojë shpopullimin dhe të largojë më tej shërbimet nga qytetarët. Ai kritikoi gjithashtu deputetët socialistë që përfaqësojnë zonat e prekura nga ndryshimet territoriale, duke thënë se nuk e kundërshtuan projektin. Në reagim përmendet edhe Belinda Balluku, votën e së cilës Bardhi e cilësoi si pjesë të mbështetjes parlamentare për Ramën.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Edi Rama po shpopullon Shqipërinë dhe po braktis shërbimin ndaj qytetarëve! Ky është shqetësimi me të cilin duhet të merremi të gjithë, të djathtë, të majtë dhe pa parti.

Megjithatë, prej dy ditësh, mediat merren me votën e 85-të, atë të Erion Braçes, i cili, në fakt, ishte i vetmi deputet i grupit parlamentar të PS-së që ngriti zërin dhe argumentoi kundër Hartës së Re Territoriale në seancën plenare.

Ndërkohë, të tjerët, edhe pse po u shkriheshin bashkitë qytetarëve që u kishin besuar mandatin e deputetit, zgjodhën të heshtnin. Janë 13 deputetë të bashkive të prekura nga harta territoriale, të cilët nuk guxuan të flisnin as në mbledhjet e mbyllura të grupit parlamentar dhe as publikisht. Me vetëdije, refuzuan të bëheshin zëri i qytetarëve, qoftë në seancë plenare, qoftë në mbledhjet e grupit të tyre parlamentar.

Prandaj, përgjegjësia për shkrirjen e 15 bashkive dhe për një hartë territoriale që, sipas meje, thellon shpopullimin e vendit nuk mund t’u faturohet atyre që ngritën zërin kundër brenda PS-së.

Përgjegjësi kryesor është Edi Rama. Ai është ideatori dhe mbështetësi politik i këtij akti antikombëtar. Të tjerët, në këtë vendimmarrje, u mjaftuan të vepronin si kartona votimi. Përfshirë Belinda Ballukun, votën e 84-t, e cila është e akuzuar për korrupsion dhe, në vend që të japë llogari para drejtësisë, vijon të jetë pjesë e sallës së Parlamentit, me mbështetjen e Edi Ramës.

Pas tij, përgjegjësia bie mbi 13 deputetët e 15 bashkive të prekura nga harta territoriale, të cilët votuan pro, ndërkohë që qytetarët që i kanë votuar ishin kundër.

Prandaj, debatin duhet ta mbajmë aty ku duhet: jo te zërat kundër brenda PS-së, por te ai që jep urdhrat dhe kërkon bindje pa kushte. Është Edi Rama ai që duhet të japë llogari për shkrirjen e 15 bashkive në Shqipëri, për pasojat që ky vendim do të ketë te qytetarët dhe për interesat që qëndrojnë pas tij.

Shqipëria nuk ka nevojë për një pushtet që shuan bashkitë dhe largon qytetarët, por për një qeverisje që u shërben atyre”, shkruan Bardhi.

Advertisement