Politike
Bardhi për akuzat e Spajiç: Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, ka reaguar pas raportimeve të mediave malazeze se Shqipëria dhe Serbia mund të jenë dy vendet, të cilave iu referua kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kur paralajmëroi për veprimtari të koordinuara hibride që synojnë destabilizimin e vendit.
Bardhi i ka cilësuar raportimet si “jashtëzakonisht serioze”, duke kërkuar nga Qeveria shqiptare që t’i përgënjeshtrojë menjëherë, nëse nuk janë të sakta, ose të japë shpjegime publike nëse ekziston një bazë konkrete për pretendimet. “Dua të besoj se raportime të tilla nuk janë të sakta! Për këtë arsye, Qeveria shqiptare duhet t’i përgënjeshtrojë menjëherë dhe pa asnjë ekuivok”, u shpreh Bardhi. Sipas tij, është e papranueshme që Shqipëria të krijojë qoftë edhe përshtypjen se mund të jetë pjesë e një skenari të koordinuar me Serbinë për destabilizimin e Malit të Zi.
Bardhi kërkon që Tirana t’i drejtohet zyrtarisht Podgoricës për të sqaruar nëse deklaratat e Spajiç i referoheshin Shqipërisë dhe nëse autoritetet malazeze disponojnë informacione konkrete që lidhen me institucione, individë apo struktura shqiptare. “Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të bëhet instrument i askujt në rajon”, deklaroi ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thekson gjithashtu se politika e jashtme shqiptare duhet të udhëhiqet nga interesat kombëtare, siguria rajonale dhe orientimi euroatlantik, duke kundërshtuar çdo përpjekje për përafrimin e qëndrimeve të Tiranës me agjenda që, sipas tij, vijnë nga Beogradi.
Në këtë kuadër, Bardhi përmendi edhe hapjen e Konsullatës Serbe në Shkodër, duke argumentuar se vendime të tilla nuk mund të trajtohen si çështje rutinë administrative, pa marrë në konsideratë realitetin gjeopolitik dhe interesat strategjike të Shqipërisë.
Bardhi i kërkon Qeverisë shqiptare të kërkojë sqarime zyrtare nga Mali i Zi, të informojë publikun nëse institucionet shqiptare janë përmendur në ndonjë informacion të sigurisë dhe të garantojë se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e veprimtarive destabilizuese në rajon.
Ai kërkon gjithashtu transparencë për çdo zhvillim që prek sigurinë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje, si dhe riafirmimin e orientimit strategjik të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe hapësirës euroatlantike. “E ardhmja e rajonit nuk është në Beogradin e së kaluarës, por në Evropën e së ardhmes. Dhe Shqipëria duhet të ketë guximin politik dhe diplomatik të qëndrojë në anën e duhur”, përfundon Bardhi.