Politike
Bardhi “zemërthyer” nga zgjedhjet e 11 majit: Qëndrojmë së bashku të panënshtruar

Drejtuesi i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka reaguar për të parën herë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, të cilat panë një disfatë të vërtetë për të djathtën dhe një fitore të katërt historike për të majtën.
Megjithatë, sipas Bardhit, kjo erdhi pasi Partia Socialiste, e cila prej 12 vjetësh gjendet në pushtet, përdori shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin.
“Një falënderim zemre. Me zemër të thyer se zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falënderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!”, shkruan Bardhi përmes një publikimi në median sociale Facebook.
Më tej, thotë: “Ju falënderoj me zemër për qëndresën dhe besimin! Një falënderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur! Ne do të qëndrojmë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë!”.
Fieri ishte një ndër qarqet ku socialistët korrën fitoren më të thellë, pasi kanë arritur të kapin kuotën e 12 mandateve, përballë 4 të Partisë Demokratike.
Në rang vendi, PS-ja projektohet të marrë 83 mandate, ndërsa PD-ja vetëm 50. Kjo do t’i jepte socialistëve një shumicë të gjerë për të kaluar me thjeshtësi nismat e veta parlamentare.

