Politike
Basir Çollaku: Hetimet për Veliajn nuk kanë përfunduar, dyshime te familjarë dhe pastrim parash
Gazetari Basir Çollaku deklaroi në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV se procesi ndaj Erion Veliajt ndodhet ende në fazë hetimore dhe se, sipas tij, ekzistojnë shumë elementë që nuk janë mbyllur ende nga organet e drejtësisë.
Sipas Çollakut, bëhet fjalë për një proces gjyqësor që lidhet me disa akuza dhe me një sërë informacionesh të mbledhura nga strukturat e posaçme të hetimit, ndërsa hetimet, sipas tij, vijojnë dhe nuk konsiderohen të përfunduara.
Ai tha se në fokus të hetimeve nuk është vetëm kryebashkiaku Erion Veliaj, por edhe persona të afërt familjarë.
“Po hetohet edhe vëllai i tij për çështje që lidhen me hetimin pasuror, përveç bizneseve ku ka dyshime për pastrim parash. Nuk kemi vetëm zotin Veliaj, por edhe bashkëshorten, vëllain, nënën e bashkëshortes dhe histori të tjera të lidhura familjare”, u shpreh Çollaku.
Çollaku theksoi se shumë nga pretendimet e Prokurorisë mbeten ende të paprovuara në gjykatë dhe se fajësia apo pafajësia e personave të përfshirë do të përcaktohet vetëm nga drejtësia.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë presin përgjigje konkrete mbi fatin e parave publike dhe akuzat që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me fondet.
Në analizën e tij, Çollaku foli edhe për mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në Shqipëri, duke theksuar se proceset kalojnë në disa shkallë gjykimi dhe se vendimet e formës së prerë kërkojnë kohë.
“Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë janë hallka që e kompletojnë ciklin gjyqësor. Ka përgjime dhe materiale hetimore që janë administruar sipas procedurave ligjore dhe që kanë fuqi prove, por ato duhet të kalojnë në filtrin e gjykatës”, deklaroi ai.
Në fund, Çollaku ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe numrin e madh të personave që po përballen me drejtësinë, duke shtuar se shoqëria shqiptare ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm për zbardhjen e aferave të dyshuara kriminale dhe korruptive.