✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

BE-ja i del kundër Serbisë: Pse nuk është arrestuar ende Radoiçiçi?

Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjim ndaj Serbisë për mungesën e veprimeve konkrete ndaj Milan Radoiçiçit, i cili akuzohet për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës. Reagimi i Brukselit vjen pasi Radoiçiçi u shfaq në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS) në Kragujevc, ku ishte i pranishëm edhe djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wiegand, theksoi se Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për sulmin, të cilët ndodhen në territorin e saj.

“Jemi të zhgënjyer që, deri më sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe për të ndjekur penalisht, me akuzat e duhura, përgjegjësit për sulmin në Banjskë që ndodhen në Serbi”, deklaroi Wiegand.

Zëdhënësi nënvizoi se Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht që personat përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiçin, të përballen me drejtësinë. Ai i bëri thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht përmes mekanizmave të ndihmës juridike reciproke.

“Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmë juridike reciproke. Kjo çështje është prej kohësh e pazgjidhur dhe Serbia duhet ta trajtojë pa vonesë”, u shpreh Wiegand.

Sulmi në Banjskë ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke shkaktuar vdekjen e një polici. Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka pranuar se ishte pjesë e grupit të armatosur, ndërsa autoritetet e Kosovës e kanë identifikuar si një nga figurat kryesore të organizimit të sulmit. Shfaqja e tij në aktivitetin politik të SNS-së ka rikthyer vëmendjen te kërkesat e BE-së ndaj Serbisë për përgjegjësinë penale lidhur me ngjarjet në Banjskë.

Advertisement