Bota
“Be-ja nuk është prioriteti ynë”/ Turqia largohet nga ëndrra europiane
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Europian nuk përbën më një prioritet për Ankaranë, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e tij ndaj integrimit europian.
Në një intervistë për Al Jazeera Arabic, Erdogan tha se Europa nuk e ka pranuar Turqinë prej 53 vitesh, ndërsa shtoi se Ankaraja nuk e ka mbyllur plotësisht derën për anëtarësimin.
“Europa nuk e ka pranuar Turqinë prej 53 vitesh… Ende mendojmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nëse na pranojnë, mirë. Nëse nuk na pranojnë, edhe më mirë. Bashkimi Europian nuk është prioriteti ynë”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan argumentoi gjithashtu se nëse Turqisë i refuzohet anëtarësimi, sipas tij, humbësja do të jetë Bashkimi Europian dhe jo Turqia.
Deklarata shënon një ndryshim në retorikën e presidentit turk. Në qershor 2024, gjatë një takimi me presidentin e Estonisë, Alar Karis, Erdogan e kishte cilësuar anëtarësimin e plotë në BE si një “objektiv strategjik” për Turqinë.
Turqia aplikoi për anëtarësim në vitin 1987 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 1999. Negociatat për anëtarësimin nisën në vitin 2005, por prej vitesh kanë mbetur praktikisht të bllokuara.
Në raportet e saj, Komisioni Europian ka ngritur shqetësime lidhur me standardet demokratike në Turqi, pavarësinë e gjyqësorit, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore.