✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BE ndryshon qasjen, Shqipëria mund të integrohet para anëtarësimit?

Komisioni Evropian synon të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate në sektorë të caktuar të Bashkimit Evropian edhe përpara anëtarësimit të plotë. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se kjo qasje nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin, por të krijojë një proces gradual integrimi gjatë periudhës së negociatave.

Sipas Kos, integrimi gradual do të shërbejë si një mënyrë për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të forcuar stabilitetin në Evropë, duke ruajtur njëkohësisht parimin e anëtarësimit të bazuar në meritë.

Komisionerja theksoi se qasja do të mbështetet në dy kushte kryesore: përparimin e vendeve kandidate në reformat e kërkuara dhe përafrimin e tyre strategjik me Bashkimin Evropian.

“Ne duam të jemi shumë më ambiciozë për t’i integruar vendet kandidate në pjesë të caktuara të Bashkimit Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë. Integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit të plotë. Ai është një përshpejtues i procesit të zgjerimit”, deklaroi Kos.

Ajo tha se pasi vendet kandidate të përmbushin standardet e kërkuara, ato mund të përfshihen në sektorë strategjikë të BE-së, ku përfshihen energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja.

Sipas saj, një përfshirje e tillë do të synojë të krijojë përfitime të ndërsjella, si për vendet kandidate, ashtu edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Kos e përshkroi këtë mekanizëm si një urë mes nevojës për stabilitet në Evropë dhe procesit të zgjerimit të bazuar në përmbushjen e kritereve. Ajo shtoi se Komisioni do të shqyrtojë edhe përfitimet që integrimi gradual mund t’i sjellë vetë Bashkimit Evropian.

Qasja e re e propozuar e vendos kështu integrimin në sektorë të veçantë përpara anëtarësimit të plotë si një etapë të mundshme të procesit, me kusht që vendet kandidate të përmbushin kriteret dhe të avancojnë në reformat e kërkuara.

Advertisement