Shkrime
BE në “luftë” për Ballkanin/ Nga Tirana në Beograd, misioni diplomatik i Brukselit për stabilitetin dhe integrimin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duket se kanë një pikësynim: të ruajnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe që Rajoni të ketë prosperitet. Gjithçka duket se lidhet me zhvillimet gjeopolitike, ku SHBA tregohet më e drejtëpërdrejtë teksa evidenton rrezikun rus dhe kinez në Ballkan.
Përmes një dokumenti, që përfaqëson një ridimensionim të rolit amerikan në rajon, Uashingtoni, e zhvendos fokusin nga ndërhyrjet politike dhe ndërtimi institucional drejt interesave konkrete strategjike, ekonomike dhe të sigurisë. SHBA e vendos Ballkanin Perëndimor në qendër të konkurrencës gjeopolitike mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, ndërsa administrata amerikane e konsideron rajonin një zonë kyçe për stabilitetin europian, sigurinë transatlantike dhe zgjerimin e interesave ekonomike amerikane.
Qasja e re amerikane është e drejtpërdrejtë: SHBA-ja nuk synon më të jetë garantuesi kryesor politik i rajonit, por partner strategjik që mbështet stabilitetin, sigurinë dhe ekonominë, në funksion të interesave reciproke.
Dokumenti e përcakton qartë se “epoka e ndërtimit të shteteve” ka përfunduar dhe se administrata amerikane nuk kërkon më të mbajë rol mbikëqyrës mbi zhvillimet e brendshme politike në Ballkan.
Në anën tjetër, Brukseli është vënë në lëvizje, teksa Presidentit i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nis një turne në Ballkanin Perëndimor nga 1 deri më 5 qershor. Përmes këtij turi që do të mbyllet me Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat, do të synohet ringjallja e perspektivës së pranimit të Rajonit mes sfidave në rritje ndërkombëtare dhe të brendshme.
Turi i Presidentit të Këshillit Europian po zhvillohet në një kohë kur ka një interes më të gjerë ndërkombëtar në rajon. Shtetet e Bashkuara kërkojnë një koordinim më të ngushtë me Bashkimin Evropian për çështjet që lidhen me stabilitetin, infrastrukturën dhe integrimin strategjik të rajonit në strukturat perëndimore.
Antonio Costa do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi përpara se të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, i cili do të përqendrohet në “prosperitetin dhe stabilitetin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.
Zgjerimi i BE-së, integrimi gradual i vendeve kandidate, bashkëpunimi rajonal, si dhe siguria dhe stabiliteti politik pritet të dominojnë axhendën e takimeve.
Vizita vjen ndërsa Brukseli përpiqet të ruajë besueshmërinë e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke pranuar ndërkohë se vonesat në procesin e pranimit kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë politike dhe lodhjes nga reformat në të gjithë rajonin. Mesazhi i Antonio Costas se “angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia për zgjerim” pasqyron përpjekjen e institucioneve evropiane për të përforcuar besimin në strategjinë e BE-së për Ballkanin.