✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BE përgatitet për zgjerimin, çfarë ndryshon për Shqipërinë?

Komisioni Evropian ka miratuar një paketë të re politikash që lidhet me përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin e ardhshëm, ku përfshihen edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipëria.

Dokumenti, i bërë publik këtë të martë, përcakton orientimet dhe veprimet që Komisioni i konsideron të nevojshme për përgatitjen e institucioneve dhe politikave të BE-së për një anëtarësim më të gjerë.

Në paketë paraqitet një vlerësim i politikave të Bashkimit Evropian në funksion të zgjerimit të ardhshëm. Komisioni analizon mënyrën se si kuadri ekzistues i traktateve, si dhe traktatet e ardhshme të anëtarësimit, mund të përdoren për të përgatitur unionin për përfshirjen e vendeve të reja.

Një tjetër element i dokumentit lidhet me mekanizmat mbrojtës që mund të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Komisioni propozon forcimin e masave mbrojtëse në sektorë të ndryshëm, si dhe krijimin e një klauzole të re mbrojtëse institucionale.

Sipas Komisionit Evropian, këto mekanizma synojnë të garantojnë që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit të vijojnë të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme edhe pas anëtarësimit.

Paketa përfaqëson një pjesë të përgatitjeve të BE-së për procesin e zgjerimit dhe përcakton ndryshime e masa që lidhen me mënyrën se si Bashkimi do të funksionojë në kushtet e një anëtarësimi të ardhshëm të vendeve të reja.

Advertisement