Connect with us

Politike

Begaj dekreton huanë 302 milionë dollarë nga SHBA, Shqipëria drejt blerjes së armatimeve të reja

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë me vlerë 302 milionë dollarë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila lidhet me financimin e jashtëm ushtarak Foreign Military Financing (FMF) për sektorin e mbrojtjes.

Marrëveshja u miratua në Kuvend më 27 korrik me votat e shumicës socialiste, ndërsa negociatat mes Tiranës dhe Uashingtonit për këtë financim kanë nisur që në vitin 2024.

Sipas marrëveshjes, e gjithë shuma do të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve ushtarake amerikane. Shqipëria synon të sigurojë mjete dhe kapacitete të reja për Forcat e Armatosura, përfshirë edhe sisteme me përdorim luftarak.

Dy vitet e para të zbatimit të marrëveshjes parashikohen si periudhë për përcaktimin përfundimtar të llojeve të pajisjeve dhe sasisë që do të blihet, edhe pse një pjesë e negociatave është zhvilluar paraprakisht mes dy vendeve.

Kredia do të lëvrohet në mënyrë të ndarë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat duhet të përmbyllen brenda një afati katërvjeçar. Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh dhe parashikon një normë interesi që pritet të jetë mes 4% dhe 5%.

Një tjetër pikë e marrëveshjes është mundësia e shlyerjes së parakohshme të huasë, pa aplikimin e penaliteteve.

Financimi amerikan pritet të ndikojë në modernizimin e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Tiranës dhe Uashingtonit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Advertisement