Politike
Berisha i dërgon mesazh ambasadorit të ri amerikan: Besoj…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur emërimin e Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Shqipëri, duke shprehur pritshmëri për një angazhim më të madh në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Berisha tha se ardhja e ambasadorit të ri në Tiranë mund të sjellë një rol më të rëndësishëm të politikës amerikane në këto fusha, duke iu referuar edhe qëndrimeve të administratës së presidentit Donald Trump.
Në të njëjtën deklaratë, kreu i PD-së përsëriti kritikat ndaj SPAK-ut, duke e akuzuar institucionin për përdorim politik dhe duke deklaruar se do të vijojë betejën e tij ndaj kësaj strukture.
“Kam bindjen se në zbatim të direktivave të qeverisë amerikane dhe presidentit Trump lufta për zbatimin e ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jenë të një rëndësie shumë të madhe. Shpresoj e besoj se do jetë një përparësi ardhja e ambasadorit të ri në Tiranë”, tha Berisha
Por Berisha vazhdoi sulmin ndaj Prokurorisë së Posacme kundër Korrupsionit, edhe pse është një prej strukturave të mbështetura nga SHBA.
“Spaku ju faktoi shqiptarëve u bë gardian i krimit kushtetues elektoral dhe unë betejën time kundër këtij institucioni nuk e fsheh. Ata patën pafytyrësinë të më dërgojnë mesazhe duke menduar se do shuanin zërin tim. Po kurrë nuk do ndodhte. Sot ai po përdoret si një vegël parti shtet”, shtoi kreu i PD-së.