✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Berisha krenohet për arritjet e PD-së: Na jepni mundësinë që të rikthehemi në qeveri

Sali Berisha zhvilloi këtë të martë në Lezhë foltoren “Ripërtëritja”, ku para qytetarëve foli për periudhën e qeverisjes së tij, situatën ekonomike dhe objektivat e Partisë Demokratike për të ardhmen.

Berisha tha se mbështetësit e opozitës kanë qëndruar pranë saj jo për interesa personale, por me bindjen se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe përfaqësuese të vlerave shoqërore e kombëtare.

“Asnjëri prej jush nuk qëndroi këtu për interesa personalë, qëndroi me besimin se qeveria duhet të ketë një opozitë të vërtetë. Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e vlerave tona shoqërore, njerëzore kombëtare. Ne duhet të jemi krenarë që përmbushëm këtë misionin sepse u treguam të pamposhtur, të pathyeshëm”, deklaroi Berisha.

Duke folur për të ardhmen, ai tha se “koha na thërret ne të ripërtërijmë Shqipërinë” dhe se synimi i opozitës duhet të jetë dhënia e përgjigjeve, sipas tij, më të shpejta dhe më të drejta ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët.

Një pjesë të fjalës së tij Berisha ia kushtoi rritjes së çmimeve dhe gjendjes ekonomike të pensionistëve. Ai pretendoi se rritja e kostove të jetesës ka rënduar ndjeshëm mbi familjet shqiptare dhe se shumë pensionistë përballen me vështirësi për të përballuar shpenzimet bazë.

“Sot janë qindra mijëra shqiptarë në tërësi të moshuar e pensionistë, të cilët me pensionin që marrin, për shkak të rritjes stratosferike të çmimeve, nuk sigurojnë ushqimin normal në më shumë se dy muaj”, tha ai.

Berisha shtoi se edhe të rinjtë, sipas tij, e kanë të vështirë të ndërtojnë jetën në Shqipëri për shkak të kostove të jetesës.

Në vijim, lideri demokrat u ndal te bilanci i qeverisjes së tij dhe përmendi ndër të tjera ndërtimin e Rrugës së Kombit, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në arsim dhe politikat ekonomike të asaj periudhe.

“Gjatë atyre viteve të qeverisjes ne bëmë disa gjëra, jo të vogla, rrugën e Kombit. Ka disa gjëra të tjera shumë më të mëdha se ne bëmë, janë të pa zë. Ato gjëra janë e vërteta që ne rikthyem në mirësi, mirëqenien, rritjen ekonomike të këtij vendi”, deklaroi Berisha.

Ai iu referua gjithashtu një studimi që, sipas tij, kishte analizuar 150 vende dhe që e rendiste Shqipërinë të katërtën në botë për mënyrën se si rritja ekonomike ishte shndërruar në mirëqenie për qytetarët. Berisha e lidhi këtë pretendim me një studim të Boston Consulting Group, duke ftuar qytetarët ta verifikojnë atë.

Berisha tha se gjatë qeverisjes së tij pagat dhe pensionet u dyfishuan dhe se qeveria e asaj kohe, sipas tij, frenoi abuzimet me fondet publike.

Ai përmendi edhe ndërtimin e rreth 1200 objekteve arsimore dhe tha se politika e qeverisë së tij ishte e orientuar te “rritjet, hallet e problemet e qytetarëve”.

Në fund të fjalës, Berisha deklaroi se demokratët duhet të rikthehen në pushtet dhe se për këtë, sipas tij, Partia Demokratike duhet të “ripërtërihet”.

“Ato që bëmë njëherë ne do e bëjmë përsëri. Ndaj ne na duhet pushteti dhe për të ardhur në pushtet ne duhet të ripërtërihemi. Ata që votuan kandidatët e PD-së në Lezhë e Shqipëri kanë bërë akt heroizmi. Tani koha thërret në moton të ripërtërijmë Shqipërinë dhe PD-në”, përfundoi Berisha.

Advertisement