Politike
Berisha në SHBA/ Balliu: Kemi 14 vite që flasim…Sulmon Ramën: I ra maska, njerëzit po e kuptojnë të vërtetën
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar protestat qytetare dhe zhvillimet politike në vend, duke deklaruar se rezistenca e qytetarëve ka ekspozuar, sipas tij, fytyrën e vërtetë të qeverisjes së Edi Ramës.
Balliu tha se protesta ka bërë atë që opozita, sipas tij, nuk ka mundur ta bëjë për 14 vite: “zhveshjen e maskës së Edi Ramës”.
“Rama e ka frikë këtë protestë. Kjo protestë bëri një gjë që ne nuk arritëm ta bënim, bëri zhveshjen e maskës së Edi Ramës”, deklaroi Balliu.
Duke përdorur një gjuhë të ashpër, deputeti demokrat e akuzoi kryeministrin për lidhje me krimin e organizuar dhe për mashtrim politik, duke e cilësuar si “hajdut të rëndomtë” dhe “karagjoz”.
Balliu u ndal edhe te zgjedhjet e mundshme për Bashkinë e Tiranës. Ai vlerësoi Ilir Alimehmetin, duke e cilësuar si një figurë që, sipas tij, do t’i bënte nder kryeqytetit.
Ndërkohë, për zhvillimet në kampin socialist, Balliu sulmoi ashpër mazhorancën, duke iu referuar situatës në Bashkinë e Tiranës.
“Një hajdut që është në burg shkarkon një hajdut tjetër jashtë burgu”, tha ai, duke iu referuar zhvillimeve mes Erion Veliajt dhe administratës së Bashkisë.
Balliu kritikoi gjithashtu mundësinë e një kandidature të PS-së për Tiranën, duke vënë në pikëpyetje emrat që mund të përfaqësojnë mazhorancën.
Në thelb të deklaratave të tij qëndron bindja se protesta qytetare po kthehet në sfidën më të fortë politike ndaj qeverisë, ndërsa beteja për Tiranën pritet të jetë një nga frontet kryesore të përplasjes politike.