Politike
Berisha paraqitet në SPAK, sulmon Dumanin: Armik i votës së popullit opozitar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në hyrje të institucionit, ai u prit nga disa mbështetës demokratë, me të cilët u përshëndet para se të hynte në godinë.
Pas daljes nga SPAK, Berisha foli për mediat dhe bëri publik mesazhin që tha se kishte lënë në institucion.
“Altin Hajrit, Gjokës, Troplinit dhe Ramës (ka shumë mbiemra ky njeri), armikut të egër të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon, por nuk harron. Sali Berisha”, deklaroi ai.
Gjatë prononcimit për gazetarët, Berisha mbrojti qëndrimet e tij kritike ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke i cilësuar ato si të justifikuara.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme nuk ka vepruar siç duhet ndaj rasteve të krimit zgjedhor. Berisha pretendoi se nga 48 dosje të shqyrtuara, vetëm një ka sjellë penalizime, ndërsa theksoi se problematikat e procesit zgjedhor janë evidentuar edhe në raportet dhe vlerësimet e organizmave ndërkombëtarë.
“Një monstre të vërtetë të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilin Kushtetuta e detyron të hetojë krimin zgjedhor. Dhe unë kam sot detyrimin t’u informoj se nga 48 dosje të shqyrtuara, kanë penalizuar vetëm një.
Ndërkohë që farsa elektorale zgjedhore është universalisht e konfirmuar tashmë nga OSBE/ODIHR që vëzhgoi zgjedhjet, nga deputetët e Këshillit të Evropës, nga deputetët e Parlamentit Evropian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian dhe IBAR. Pra, me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura nga opozita, por që të gjitha këto për armiqtë e votës së lirë janë hiç asgjë ose nuk ekzistojnë. Edhe njëherë, e ripërsëris, sulmet e mia të merituara ndaj Altin Troplinit dhe paraardhësit të tij, xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Kraja, kanë qenë të lidhura para së gjithash dhe mbi të gjitha me qëndrimin e tyre ndaj dosjeve të famshme të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës. Me atë akt ata dëshmuan në mënyrë flagrante armiqësinë ndaj votës së popullit opozitar“, tha ai.
Ndërkohë, SPAK e ka marrë të pandehur Berishën në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka ndikuar përmes vendimeve ligjore dhe nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij në procesin e privatizimit, duke përfituar në mënyrë të tërthortë nga ky favorizim. Berisha dhe personat e përfshirë kanë mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.