Politike
Berisha “plas” ndaj Ramës: Ka larguar dy herë më shumë shqiptarë se Çubrilloviçi
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e akuzuar se politikat e saj kanë nxitur largimin e shqiptarëve nga vendi.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha pretendon se politikat e qeverisë Rama kanë shkaktuar një valë të madhe emigrimi, duke bërë një krahasim me politikat e Vaso Çubrilloviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Politikat e Edi Ramës kanë larguar nga Shqipëria dy herë më shumë shqiptarë sesa politikat e Çubrilloviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë”, shkruan Berisha.
Postimi:
Politikat e Edi Ramës kanë larguar nga Shqipëria dy herë më shumë shqiptarë sesa politikat e Çubrilloviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Reforma territoriale nuk kishte në thelb vetëm zhdukjen e disa bashkive e komunave, por edhe zhdukjen e shërbimeve pranë banorëve.
Kjo ua bëri jetën më të vështirë dhe më të kushtueshme, duke i shtyrë shumë prej tyre drejt largimit nga vendi.
I njëjti qëllim fshihet edhe pas reformës së re territoriale: Rama kërkon të zhdukë edhe më shumë bashki, duke larguar shërbimet nga qytetarët dhe duke krijuar kushte për një valë tjetër shpopullimi.
Në vend që të ndalë largimin e shqiptarëve, kjo qeveri po ndërton politika që e ushqejnë atë.