Connect with us

Politike

Berisha publikon dëshminë e prindit të të miturit: I futën molotovët tek çanta e shkollës dhe e arrestuan

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një dëshmi të prindit të një të mituri i cili, sipas tij, u përdor dhe u arrestua padrejtësisht gjatë protestës së 20 shkurtit.

Dëshmia e prindit tregon se djali i tij dhe kushëriri i tij 14-vjeçar ishin duke shkuar për në shtëpi dhe kishin ndaluar për të ngrënë, kur disa individë iu afruan dhe iu futën koktej Molotovi në çantën e shkollës.

Disa minuta më vonë, ata u arrestuan nga civilët, të cilët i akuzuan se kishin marrë para për të marrë pjesë në protestë.

Berisha e përshkruan këtë si një skenar të paraorganizuar dhe denoncon sjelljen antiligjore të një pjese të policisë, duke i bërë thirrje atyre që të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve të lartë të qeverisë.

Deshmia e prindit të publikuar nga Berisha:

“Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e vet 14 vjeç. Kanë qenë duke ardhur këtej nga krahu i Lanës, sa kanë kaluar shkollën Ismail Qemali. Tek Ura e Tabakëve. Kanë pasur çantën e shpinës të shkollës me gjithë librat.

Ka ardhur njëri dhe ua ka futur në çantë. Këta janë trembur se nuk i njihnin se ishte gjithë ai burrë. I ka thënë shkoni dhe hidhini tek protesta. I kanë kapur në orën 8 pa ca kur ne ishim akoma tek protesta.

Dhe po u kapi njeri, thoni që na kanë dhënë lekë. Në atë moment, nuk kanë bërë djemtë as 10 hapa, kanë ardhur civilët dhe i kanë arrestuar. Imagjino ti”.

Berisha: Tani, shihni se çfarë skenari parapërgatisin. Janë ndaluar, janë shoqëruar mbi 50 demonstrues.

Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë marrë kurrë pjesë në protesta.

Një pjesë e policisë janë sjellë me rrugaçëri, në mënyrë antiligjore, janë sjellë si patronazhistë dhe kriminelë të vërtetë.
Ndërkohë mund t’u them se dje ka pasur një dallim të qartë në qëndrimin e një pjese të mirë të policisë, e cila ka realizuar dhe po realizon se mbrojtja e hajdutëve nuk është detyrë në emër të ligjit dhe të atdheut.

Dhe unë i përgëzoj ata dhe ftoj policët e ndershëm, familjarë të ndershëm, burra, gra, vëllezër, motra të familjeve të mira të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve Proda dhe Bizhga, por në rastin më të parë të bashkohen me demonstruesit.

Edi Rama është një armik i qenies së tyre, i kombit shqiptar, është një armik i paimagjinueshëm që po i bën vendit të zezën më të madhe që i ka bërë ndokush me ligjin mburojë për të mbrojtur vjedhjet e tij, të Lubisë dhe ministrave të tij.

Advertisement