✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Berisha: Studentët kanë të drejtë të kërkojnë përmbysjen e sistemit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se studentët kanë të drejtë të kërkojnë përmbysjen e sistemit politik, të cilin ai e akuzon se mbështetet te droga, korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve, prindërve, biznesmenëve dhe mbështetësve të PD-së që t’u bashkohen studentëve në protestë. Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për dhunën ndaj të rinjve dhe për grabitjen e pronave publike, duke theksuar se Partia Demokratike do të vijojë të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje për protestuesit.

Berisha u ndal edhe te debatet për pronat, duke deklaruar se është kundër prekjes së tyre, por sipas tij, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te dëmtimi i një dyqani apo vitrine, ndërsa përmendi edhe Portin e Durrësit si një çështje për të cilën, sipas tij, duhet kërkuar llogari.

“Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990. Kërkojnë përmbysje të sistemit, kanë 100% të drejtë”, deklaroi Berisha.

Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si Policia ka vepruar ndaj protestuesve, duke përshkruar skena dhune që, sipas tij, përbëjnë një arsye më shumë për mobilizimin e qytetarëve.

Në vijim, kreu i PD-së u bëri thirrje edhe bizneseve që të solidarizohen me studentët, duke sugjeruar mbylljen e përkohshme të aktivitetit si formë proteste kundër qeverisë.

“Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët. Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve”, u shpreh ai.

Në përfundim, Berisha përshëndeti studentët dhe gjimnazistët që kanë dalë në protestë, ndërsa garantoi se PD-ja do të vijojë t’i mbështesë në atë që ai e cilësoi si një lëvizje për shpëtimin e vendit.

Advertisement