Aktualitet
Bilanci i Policisë në Elbasan: 3 të arrestuar për drejtim në gjendje të dehur
Policia Rrugore e Elbasanit ka publikuar bilancin e kontrolleve për periudhën 27 korrik – 2 gusht 2026, duke evidentuar 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të gjitha të lidhura me drejtimin e mjeteve në gjendje të dehur.
Sipas të dhënave zyrtare, 3 drejtues mjetesh janë arrestuar, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrolleve në akset rrugore të qarkut janë vendosur gjithsej 1.787 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe e tyre lidhet me tejkalimin e shpejtësisë, me 1.000 gjoba, ndërsa 301 masa janë vendosur për parakalime të gabuara.
Policia ka ndëshkuar gjithashtu 32 drejtues për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, 14 për drejtim nën efektin e alkoolit, 85 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 58 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse. Ndërkohë, 297 masa të tjera administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Gjatë javës janë pezulluar edhe 3 leje drejtimi për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Elbasanit bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut dhe u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe të përdorin pajisjet e sigurisë, për të garantuar sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.