Connect with us

Politike

Blendi Kajsiu: Berishën nuk e mundi Basha, por PD-ja

Nga Blendi Kajsiu

Protesta e dhunshme e 8 janarit vulosi atë që tashmë dihej, Sali Berisha dështoi në synimin e tij për të rimarrë PD-në. Në fakt, ky dështim ishte vulosur që në dhjetor kur palët përfunduan kuvendet përkatëse dhe iu drejtuan Gjykatës. Nuk ka të bëjë fare me betejën idiote të marrjes së selisë. Një nga budallallepsjet e shumta që prodhoi berishizmi jo vetëm në PD, por edhe në mediat dhe shoqërinë shqiptare, ishte ajo që Besnik Mustafaj me të drejtë e quajti fetishizimi i selisë së PD-së. Në fakt, marrja e selisë nuk kishte asnjë logjikë politike dhe aq më pak juridike. Ajo nuk i bënte aspak punë lëvizjes Berisha.

Edhe sikur kuvendi i 11 dhjetorit të ishte legjitim, edhe sikur referendumi i 18 dhjetorit i prodhuar nga Berisha të ishte më demokratiku në historinë e zgjedhjeve shqiptare, ato duhen certifikuar nga Gjykata, përndryshe nuk kanë asnjë vlerë juridike. Pra marrja e selisë së PD-së më 8 janar do ishte thjesht uzurpim godine, pasi Berisha nuk ka asnjë tagër juridik apo ligjor të marrë nën kontroll selinë e PD-së. Ai është pronar i asaj godine vetëm në fantazinë e mbështetësve të tij.

Sulmi ndaj godinës shërbente thjesht për të tërhequr vëmendjen nga dështimi për të rimarrë nën kontroll PD-në. Është një dështim që e kanë të vështirë ta përtypin si mbështetësit edhe kritikët sepse bie ndesh me mitin Berisha aq të konsoliduar në skenën tonë politike.

Ky mit bazohej në dy premisa. Së pari, supozohej se Berisha ishte lider i padiskutueshëm brenda PD-së, ndaj berishizmi identifikohej me vetë PD-në. Së dyti, Berisha shikohej si një lider me mbështetje të madhe popullore në elektoratin e djathtë, edhe pse refuzohej nga shumica e shqiptarëve. Për këtë arsye të shumtë ishin ata që mendonin se Berisha i duhej PD-së më shumë sesa PD-ja Berishës.

Dështimi i lëvizjes Berisha për të rimarrë PD-në tregoi se asnjë nga këto premisa nuk qëndronte. Ato janë ricikluar aq shpesh nga mediat dhe analistët si brenda, edhe jashtë PD-së (duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave) saqë kanë marrë statusin e së vërtetës. Ishte miti Berisha që mobilizoi shumë nga mbështetësit e tij me idenë se ai do ta nxirrte Bashën nga PD-ja me gishtin e vogël ashtu sikurse e vuri.

Kjo nuk ndodhi sepse përballja e Berishës nuk ishte thjesht me Bashën, por me PD-në. Ndryshe nga sa deklarojnë mbështetësit entuziastë të Bashës, Berisha u mund nga PD-ja si strukturë, anëtarësi dhe entitet juridik. Miti Berisha nuk u thye nga Basha, por pavarësisht prej tij. Në përballjen me Berishën, Basha tregoi edhe një herë një mungesë të madhe lidershipi dhe kompleksim të thellë përballë babait të tij politik.

Mënyra se si e përjashtoi Berishën duke e lartësuar si lider historik, shmangia e debatit brenda PD-sa në lidhje me implikimet e thella politike që kish shpallja e Berishës non-grata, vendimi për mos t’u përballur me Berishën, mungesa e takimeve me bazën dhe refuzimi apriori i mbledhjes së kuvendit i dha oksigjen dhe legjitimitet lëvizjes Berisha. Pa përmendur gënjeshtrat fëminore të tipit ‘nuk përballem me Berishën se nuk dua ta nxjerr keq’, që e bindën një pjesë të mirë anëtarësisë se Basha ishte një lider i dobët.

Ama, aty ku dështoi Basha u shfaq PDja jo-berishiste që nuk e identifikonte PDnë me Berishën dhe hallet e tij. Ishte shumica dërrmuese e Grupit Parlamentar, shumica dërrmuese e kryetarëve të degëve, shumica dërrmuese e kryesisë, shumica dërrmuese e këshillit kombëtar të PD-së, dhe një pjesë e mirë e anëtarësisë që e thyen mitin e Berishës në PD jo vetëm duke u rreshtuar kundër tij, por edhe duke kritikuar haptas Bashën për gabimet në lidership.

Kongresi i 18 dhjetorit tregoi se ekzistonte një PD përtej Berishës si person dhe berishizmit si fenomen. Një PD që përballej me Berishën jo sepse ishin zarë të kryetarit, por për arsye parimore. Në kontrast të thellë me berishizmin shumë nga mbështetësit kryesor të Bashës në kongresin e 18 dhjetorit ishin edhe kritikë më të ashpër të tij. Një kongres ku delegatët kritikojnë hapur dhe ashpër kryetarin nuk mund të imagjinohet as në PD-në e Berishës dhe as në PS-në e Ramës.

A ishte kjo shumicë apo pakicë askush nuk e thotë dot me siguri. Që në momentin që lëvizja Berisha krijoi procedurat dhe institucionet e saj paralele, ku firma dhe votimi iniciohej, verifikohej dhe interpretohej po nga i njëjti individ, identifikimi i shumicës në mënyrë institucionale dhe të verifikueshme brenda PD-së u reduktua në hamendësim dhe subjektivizëm. Referendumi i 18 dhjetorit ishte shembulli më tipik i këtij fenomeni. Gjithsesi, me apo pa shumicën e anëtarësisë, kongresi i 18 dhjetorit tregoi se ekzistonte një pjesë e mirë e PD-së që nuk mund të reduktohej te Berisha apo berishizmi.

Kjo ishte goditja e parë ndaj mitit Berisha që tronditi mbështetësit e tij brenda dhe jashtë PD-së. Nën sugjestionimin e miti dhe të propagandës berishiste ata imagjinonin një kongres ku Basha do ishte krejt vetëm në një sallë bosh dhe do bëhej aq qesharak saqë do ta braktiste PD-në me bisht ndër shalë. Ideja se ai mund të mbushte sallën e pallatit të kongreseve me demokratë ishte po aq e pakonceptueshme për ta sa ideja se PD-ja mund të ekzistonte përtej Berishës.

Atë që nuk kuptuan berishistët është fakti se shumë nga pjesëmarrësit në kongresin e 18 dhjetorit nuk ishin aty për Bashën dhe as për inat të Berishës, por për PD-në. Duke përdorur një logjikë minimale, që berishizmi e mbyste nën pasionin e urrejtjes ndaj Ramës dhe ‘poliagjentit’ Basha, ata kuptuan se rikthimi i Berishës në krye të PD-së pasi u shpall non grata ishte një akt jo thjesht antiamerikan, por antihistorik dhe antisocial, që fuste PD-në në vijon nga faqja 1 ngërç me vetveten dhe në konflikt me shoqërinë shqiptare.

Goditja e dytë që mori miti Berisha ishte mungesa e mobilizimit të elektoratit të djathtë ku supozohej se kish mbështetje popullore. Si protesta kundër vizitës së Vuçiç në dhjetor edhe protesta e 8 janarit në selinë e PD-së e nxorën Berishën lakuriq. Ato treguan se berishizmi është një pakicë e zhurmshme brenda elektoratit të djathtë. Ndaj është Berisha që ka nevojë për PD-në dhe jo anasjelltas.

Obsesioni për të marrë PD-në nën kontroll, qoftë edhe me dhunë, është tregues i qartë i faktit se pa PD-në Berisha defaktorizohet në skenën tonë politike. Nëse ai vërtet gëzon mbështetjen popullore, siç pretendojnë mbështetësit e tij, atëherë beteja për vulën e PD-së është e pakuptimtë. Vula i duhet Bashës që nuk ka elektorat, por përse i duhet Berishës me gjithë adhurimin mbarëpopullor që gëzon?

Ai mund të krijonte një forcë të re politike dhe ta lërë PD-në e Bashës pa votues. Nëse shumica e demokratëve e mbështesin, atëherë fare mirë mund t’i marrë ata me vete në një forcë të re politike dhe ta lërë Lulin vetëm më vulën dhe simbolin e PD-së. Sidomos, po të kemi parasysh se betejën juridike për marrjen e PD-së e ka të humbur.

Fakti që Berisha nuk e artikulon idenë e një force të re politike tregon se influenca e tij politike nuk buron nga mbështetja që gëzon në elektoratin e djathtë, por nga kontrolli që ka pasur mbi PD-në. Nuk është Berisha që i shton vota PD-së, por PD-ja që i jep vota Berishës. Ky është një fakt që berishizmi gjithnjë e ka fshehur, edhe në bashkëpunim me mediat që gjithë ditën e cilësonin Berishën si liderin historik të PD-së dhe themelues të saj.

E vërteta historike është se ishte PD-ja që e krijoi Berishën dhe jo anasjelltas. PDja ishte me madhe se Berisha, edhe pse ai gjithnjë synonte ta reduktonte në përmasat e tij. Ajo nuk ishte pjellë e Sali Berishës, por produkt i krizës së sistemit komunist dhe i një fryme popullore antikomuniste që Berisha e kalëroi politikisht, por nuk e krijoi. Vetëm pasi e mori nën kontroll dhe eliminoi të gjithë themeluesit e tjerë, Berisha filloi të shfaqej si krijuesi unik, babi që polli PD-në. Njësoj siç veproi Enver Hoxha me Partinë Komuniste.

Ndaj, ashtu sikurse Partia Socialiste u nda nga Enver Hoxha dje për të vazhduar rrugën e saj drejt reformimit dhe pushtetit, edhe Partia Demokratike sot po ndahet nga Sali Berisha jo për të vdekur, por për të mbijetuar. Nëse dje ishte e pamundur për Partinë Socialiste të rikthehej në pushtet me enverizimin në krye, sot ishte po aq e pamundur për PD-në të rikthehej në pushtet me berishizmin në krye.

Ata që e vajtojnë 8 janarin si vdekjen politike të PD-së janë ende nën efektin e mitit Berisha, sipas të cilit PD-ja nuk mund të ekzistojë pa berishizmin. Ende nuk kanë kuptuar që PD-ja kish kohë që kalbej dhe vdiq menjëherë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Jo si pasojë e masakrës elektorale të Ramës, por sepse oferta e saj berishiste (Berisha/Basha – Meta) që u rrëzua në zgjedhjet e 2017 nuk mund të riciklohej në vitin 2021 dhe aq më pak në vitin 2025. Protesta e 8 janarit mund të ishte surprizë për demokratët dhe Bashën, por aspak për elektoratin shqiptar që e prej vitesh e ka refuzuar berishizmin.

Është ironi e madhe të shikosh sot se si opozita, qoftë me Berishën, qoftë me Bashën, pranon se oferta e tyre në 2021 nuk mund të fitonte. Nëse Basha pranon që me dy brinjët e trekëndëshit të Bermudës Berisha-Meta nuk mund të vihej në pushtet, berishistët tashmë deklarojnë se shqiptarët në 25 prill nuk mund të votonin një lider të dobët si Basha.

Shpallja e Berishës non-grata ishte thjesht shkëndija që i vuri flakën kalbëzimit të PD-së që kish kohë që avanconte. Ama, problemet e PD-së nuk i ka shkaktuar Edi Rama, dhe aq më pak SHBA-të dhe ambasdorja Kim. Transformimi i saj në një bunker të mbyllur, pa demokraci, që shërbente për pasurimin e pronarëve të saj edhe nëpërmjet aleancave absurde me hajdut të njohur në skenën politike si LSI, ishte vepër e Berishës që u vazhdua po nën drejtimin e tij nga Basha. Ndaj është habi e madhe të shohësh se po ata intelektualë që kanë dekada që e akuzojnë Berishën se e ka degraduar PD-në në një bunker antidemokratik, sot gjithë fajin për derexhenë ku ndodhet PD-ja ia veshin Ramës dhe ambasadores Kim.

I detyruar nga rrethanat Lulzim Basha, ndonëse me zë të ulët dhe me vonesë, e ka pranuar këtë realitet. Për ironi të fatit, ai sot përballet me berishizmin, fenomenin që e vuri, e mbajti dhe në fund e ricikloi në krye të PD-së. Nëse dje Berisha e vuri dhe e mbajti Bashën kryetar, duke e shpallur mik, sot e ka legjitimuar në krye të PD-së si varrmihësin e berishizmit.

Ama, ishte PD-ja, strukturat dhe anëtarët e saj që e mundën Berishën dhe jo Basha që mbeti në bisht të betejës me doktorin. Ishin individë si Roland Bejko, Fatbardh Kadilli, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Enkelejd Alibej, Ervin Salianjaj e shumë të tjerë që u përballën me berishizmin teksa pa komplekse kritikuan dhe vazhdojnë të kritikojnë lidershipin e Bashës. Asnjë prej tyre i vetëm nuk mund ta rrëzonte mitin e Berishës, por të gjithë së bashku po. Ky ishte, në fakt, revolucioni real që prodhoi lëvizja Berisha në PD. Ai tregoi se berishizmi nuk është fytyra e vetme e kësaj partie.

E njëjta PD që rrëzoi sot Berishën mund të rrëzojë nesër edhe Bashën. Fabulat me masakra elektorale apo fajësimi i berishizmit, janë justifikime që vështirë se do t’i vlejnë Bashës nëse humb zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndaj, për herë të parë, në PD krijohet mundësia e një rrotacioni dhe gare reale për lidershipin e saj. Për herë të parë, PD-ja ka një kryetar që nuk mund të pretendojë se është më i madh se partia. Dhe ky është një lajm i mirë për PD-në që nuk duhet të humbasë në gjurullditë berishiste.

Politike

‘I poshtër, i pamoralshëm’/ Bardhi ‘nxjerr nga binarët’ Baton Haxhiun

Gazment Bardhit ka folur dje për përfshirjen e Olsi Ramës për laboratorin e drogës në Xibrakë. Gjatë diskutimeve ka pasur debate me tone të forta ndaj Bardhit dhe analistit Baton Haxhiu, të dy të ftuar në Opinion.

Haxhiu ka akuzuar Bardhin se nuk ka moral dhe duhet të largohet nga politika. Bardhi i është kundërpërgjigjur analistit duke u shprehur se Haxhiu është “avokat pa pagesë” i çdo afere dhe krimineli të kryeministrit Edi Rama.

Baton Haxhiu: Posaçërisht me ty e kam për arsye se unë në këtë emision kam ardhur për të debatuar politikisht e jo me çështjet e shoë-t prokurorial në studio. Ka pasur konferencë për shtyp, i ka pasur minutat e veta dhe jo unë të dëgjoj një rrëfim kriminalistik filmi të një personazhi politik.

Gazment Bardhi: Dokumenta mo Baton, ku e pe filmin ti.

Baton Haxhiu: Kam problemin me moralin e dy personave, ai i cili ka shkruar dhe ky që është në studio. E para si mund të funksionojnë dy njerëz etikisht…

Gazment Bardhi: Siç funksionon ti me Edi Ramën.

Baton Haxhiu: A bën me u ndal ndonjë herë?

Gazment Bardhi: Tani për moralin e Sali Berishës kemi ardhur këtu ne? Jo o Fevzi se më ke ftuar për Olsi Ramën tani.

Blendi Fevziu: Ai ka të drejtën e fjalës së vet.

Gazment Bardhi: Jo, nuk e devijon dot emisionin me fjalën e vet. A kemi një temë ne? Ai mund të flasë për hënën, unë nuk kam ardhur të dëgjoj përrallat e Batonit për hënën.

Blendi Fevziu: Baton vazhdo.

Gazment Bardhi: Kjo është të ftosh në studio të flasësh për Sali Berishën.

Baton Haxhiu: Me ty do merrem.

Gazment Bardhi: Do merremi me Olsin.

Baton Haxhiu: Problemin e kam me moralin politik tëndin.

Gazment Bardhi: Nuk kam asnjë problem. Për sot kemi ardhur për Olsin. Jo për pasionet e Olsit, por për përfshirjen e Olsit në trafik droge.

Baton Haxhiu: Kam problem me etikën e paraqitjes.

Gazment Bardhi: Ku ka mungesë më etike sesa të vijmë të flasim për dokumente shtetërore të përfshirjes së vëllait të kryeministrit në trafik droge dhe ti të flasësh për Sali Berishën? Pra vazhdon akoma me teorinë “fajin e ka Sali Berisha”.

Baton Haxhiu: Po flet për të pavërtetën.

Gazment Bardhi: Cila është e pavërteta?

Baton Haxhiu: Duke më thënë që ti ke mbrojtur kriminelët dhe ti ke folur për personin e Shkodrës. Nëse unë kam folur ndonjëherë unë nuk vij në studio, por nëse jo ky duhet ta lëshojë politikën.

Gazment Bardhi: Ti je avokati më i zellshëm i kriminelëve të Edi Ramës. Të mos bëjmë teatër, ti je dëshmitar, është avokati i të gjithë kriminelëve të Edi Ramës të prekur nga ligji i dekriminalizimit, avokati i çdo afere korruptive të Edi Ramës nga njëra studio në studio në 10 vite dhe është padiskutim mbrojtësi i çdo zullumi të Edi Ramës, ky është fakt i pamohueshëm.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër, i pamoralshëm.

Gazment Bardhi: Më thuaj një aferë të Edi Ramës ku nuk ke luajtur rolin e avokatit pa pagesë.

Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër. Nuk kam pasur fjalën i poshtër.

Blendi Fevziu: S’e ke përdorur kurrë?

Baton Haxhiu: Kurrë asnjëherë.

Blendi Fevziu: Fjalën i poshtër nuk e ka thënë asnjëherë tha, e tha për ty.

Gazment Bardhi: E vërteta dhemb o Fevzi. Sidomos kur bëhen gati miqtë edhe shokët që i njeh pasionet të shkojnë në burg.

Baton Haxhiu: Besimi i publikut duhet me referencë. Cila është referenca e këtij njeriu? Ky një vit më herët ka folur për ‘babën e Zenit’ i cili e mbron me një mesazh për emisionin. Paramendoje ‘baba i Zenit’ ka qenë togfjalëshi i këtij njeriu.

Gazment Bardhi: A e ndryshon kjo fatin e Olsi Ramës?

Baton Haxhiu: A e kujtoni këtë njeri nga Elbasani? A e di çfarë ka thënë? Ky njeri që është politikani i tashëm i udhëheqjes së partisë së rithemelimit, në Elbasan ka thënë do vdesin të gjithë sikur ky. Paramendoni moralin politik të këtij njeriu.

Gazment Bardhi: Kjo është një gënjeshtër, është një shpifje.

Baton Haxhiu: Më ço në gjykatë.

Gazment Bardhi: Do të të çoj unë në gjykatë. Sikundër do të shkosh në gjykatë për të mbrojtur Olsi Ramën dhe jo të vish në studio të bësh avokatin e Olsi Ramës.

Baton Haxhiu: Nëse ky njeri vërteton që Olsi Rama është fajtor do dal publikisht në përkrahje të këtij njeriu për të vërtetën e tij, po nuk e vërtetoi le të ikë nga politika për arsye se nuk ka moral politik që të qëndrojë. Njeriu që nuk ka etikë të prezencës duke gënjyer para sysh duke mos pasur memorie dhe del këtu për të përfaqësuar rithemelimin. Ik! Ik! Nuk mundet të flasë ky më. Nuk ka moral.

Gazment Bardhi: Nga nervozizmi i Batonit…

Baton Haxhiu: Nuk jam fare nervoz!

Gazment Bardhi: Nga fakti që portali i Batonit dhe çdo media e kontrolluar nga PS ky denoncim i sotëm nuk është pasqyruar tregon që kanë arsye për tu dridhur siç u drodh Batoni pa nxjerrë asnjë moment nga goja fjalën Olsi Rama.

Continue Reading

Politike

Sali Berisha kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga NATO

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje live, pasi ndodhet në arrest shtëpiak, në aktivitetin dedikuar 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ai u shpreh se Shqipëria nuk plotëson kriteret politike të jetë anëtare e aleancës së NATO-s.

“Duhet të them dy fjalë përsëri. Gjatë këtyre 10 viteve, sigurisht ka një bashkëpunim të qartë mes Shqipërisë dhe NATO-s. Dhe Shqipëria duhet të përmbushë çdo detyrim, pasi la detyrimet që kishte për buxhetin 2 përqind. E reduktoi buxhetin e mbrojtjes në shifra qesharake. Bazat e ushtrisë u bënë pre e mafies më të rrezikshme të Europës.

Për dijeninë tuaj, ata që nisën përgatitjen për bazën e Kuçovës, u arrestuan pa asnjë motiv nga rilindësit sapo erdhën në pushtet. Dhe në një akt tjetër të turpshëm, Edi Rama urdhëroi zhdukjen nga të gjitha institucionet e flamurit të NATO-s, vetëm e vetëm se kjo ishte një arritje e paraardhësve të tij. Sot, mendoj se në rrafshin politik, Shqipëria nuk plotëson më kriterët politike për të qenë anëtarë e kësaj aleance.

Si në asnjë vend tjetër të aleancës dhe në kundërshtim flagrant me parimet më themelore të një shoqërie të lirë, sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu.

Sot, 93 përqind, 95 përqind e të gjithë zyrtarëve të lartë të emëruar dhe të zgjedhur, i përkasin partisë shtet dhe ky model nuk ka asgjë të përbashkët me modelin politik të anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot njeriu që ka përqendruar të gjitha pushtetet, përdor sistemin gjyqësor për grusht shteti kundër parlamentit, për të marrë pushtetet e parlamentit.

Sot shkelmohen parimet universale të prezumimit të pafajësisë, të garantimit të ndarjes së pushteteve, ndaj dhe kjo forcë politike që realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e ka detyrë jetike vendimtare, në një kthesë të re historike, të rivendosë në Shqipëri, pluralizmin demokratik, ndarjen dhe balancën e pushteteve në përputhje me Kushtetutën.

Të vendosë kushtetutshmërinë si shtyllë qendrore të një rendi demokratik. Dhe unë kam bindjen se ky përvjetor do jetë për ne, një përvjetor frymëzues për përmbushjen e objektivave të reja tona. Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe ju uroj këtë ditë”, tha Berisha.

Continue Reading

Politike

“S’dimë asgjë për Reformën Zgjedhore”, Dashnor Sula: Vetëm kallashi mungon në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se rregullorja e Kuvendit është kthyer në një problem të madh.

Komentet Sula i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se në Kuvend vetëm armët e zjarrit nuk lejohen, pasi sipas tij, çdo gjë tjetër është e lejuar.

Ai tha gjithashtu se Rithemelimi nuk ka paraqitur asnjë artikulim publik për Reformën Zgjedhore, duke shtuar se kryedemokrati Lulzim Basha i ka bërë propozimet e tij lidhur me këtë çështje.

“Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve në atë kohë dhe kur kujtoja veten dhe kolegët e mi që rrinim aty dhe ajo reformë nëse ju kujtohet, pas një ngjarjeje të fortë që ndodhi në 15 mars dhe u bë në 21 prill ajo marrëveshje dhe brenda 2-3 javëve ka përfunduar i gjithë kodi zgjedhor. Koha kur duhet e gjejmë.

Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore për 2 vite, nga shkurti i 2022, deri në mars të 2024, kur vdiq. Çfarë bëri ai Komision? Kishim një vendim të Kushtetueses për votën e emigrantëve. Pse nuk u bë? Për hir të së vërtetës ti japim çfarë i takon Bashës. Ai është përgjegjës që e ka sjellë PD në këtë gjendje.

Por ka propozuar lista të hapura, votën e emigrantëve, Shqipëria një zonë elektorale, votim dhe numërim elektronik. Qoftë PS apo edhe pjesa tjetër e opozitës ku jam edhe unë nuk kemi artikuluar asgjë. Pavarësisht se shumicën e Komisionit të Ligjeve e ka PS dhe mazhoranca, do të ketë një diskutim më të pakët aty, ndërsa në Komisionin e Reformës Zgjedhore kishim më shumë hapsirë. Kemi humbur dy gjëra shumë thelbësore që nuk i përmendi opozita.

Rregullorja e Kuvendit që është bërë kod penal. Vetëm Kallashi mungon aty që nuk parashikohet, 12.7-shi. Dhe të gjitha armët e tjera parashikohen në rregullore dhe i ndërpritet mandati deputetit 60 ditë, që as organet e drejtësisë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe më tmerruesja janë Komisionet Hetimore, që u shkatërrua baza, themeli dhe do të japë efekte shumë negative”, tha Sula.

Continue Reading

Politike

Luarasi nuk përmbahet ndaj Bardhit: Tre fakte qesharake! Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan.

3 elementë që Bardhi i cilëson fakte për ta akuzuar Olsi Ramën si të përfshirë në çështjen e Xibrakës, pedagogia Iris Luarasi i konsideroi “qesharake”.

Iris Luarasi: 3 elementë që përkojnë me zotin Olsi Rama. E para 45 vjeç në atë vit në Shqipëri mund të kenë qenë dhe 100 mijë tjerë. Burra me flokë të shkurtër, 99% e burrave që jetojnë në Shqipëri. Dhe fakti që është përdorues i asaj makine, ndërkohë që ajo makinë është në pronësi të një zonje dhe e kanë përdorur njerëz të tjerë. Nga deklaratat e zotit Olsi Rama, ai nuk mohon asnjë prej lidhjeve me pronarët e makinës, nuk thotë që nuk i njoh këta njerëz. Me njërin prej tyre thotë kam njohje në distancë. Kështu që të tre këto elementë, unë nuk e di nëse i quajmë dot prova. I bëj një pyetje zotit Bardhi, nëse do ishit gjykatësi, pra nëse ju sot do t’ju vinte një prokuror dhe do u sillte këto tre të dhëna dhe do u thoshte që këto 3 fakte janë të pakundërshtueshme. Juve si gjykatës ça vendimi do jepnit sot?

Gazment Bardhi: Unë nuk jam gjykatës…

Iris Luarasi: Ju keni mbaruar për juridik, supozojmë se jeni gjykatësi i çështjes. Çfarë do u thonit ju në rolin e gjykatësit, jo të prokurorit?

Gazment Bardhi: Ajo që unë kam bërë sot është…Duhet të hetojë prokuroria njëherë që të shkojmë të Gjykata. As rolin e prokurorit se kam bërë unë se po ta kisha bërë, do kisha marrë tabulatet e zotit Olsi Rama.

Iris Luarasi: Dua përgjigjie për këtë pyetje. Dakord ke bërë aq sa ke bërë si politikan, përgjigjiu të lutem pyetjes time. Me gjithë arsimimin tënd juridik…

Gazment Bardhi: Më lejo ta përfundoj. Së pari rastësia e një 45 vjeçari që përdor këtë automjet, që e përdorin gjithë anëtarët e tjerë të grupit kriminal, mua nuk më duket se ka të bëjë me 5 mln shqiptarë.

Iris Luarasi: 5 mln shqiptarë nuk ka në Shqipëri!

Gazment Bardhi: Këtë makinën e kanë përdorur 4 persona.

Gazment Bardhi: Olsi ka ngelur i paidentifikuar.

Iris Luarasi: Kalojmë te përgjigjia të lutem!

Gazment Bardhi: Unë po jap një indicie që ky mund të jetë Olsi Rama, unë jam për të nxitur organet e drejtësisë që këtë dosje që e kanë pluhurosur për ta mbrojtur personin e gjykuar. Po të isha gjykatës i kisha lënë ca detyra Prokurorisë, po s’dua ta marr këtë rol.

Iris Luarasi: E para njëherë nuk mora përgjigjie, megjithatë një njeri me formim fare elementar në pjesën juridike e di shumë mirë që me këto 3 fakte nëse quhen fakte, ti nuk mund t’i japësh asnjëherë fajësi një njeriu. Kur je përdorues i një mjeti, nëse jemi ne të dy në një mjet dhe larg qoftë ty të shkon mendja të merresh me drogë, kjo më bën mua fajtore?!

Gazment Bardhi: Nuk të shkon të bësh avokaten e një trafikanti droge. Je pedagoge dhe u jep leksione studentëve.

Iris Luarasi: Do më tregosh se çfarë do t;u them studentëvr? Për leksione mund të të jap sa të duash dhe mendoj se një njeri që ka mbaruar juridik nuk mund të japë këto 3 fakte qesharake për të akuzuar dhe quajtur fajtor një njeri. Po të isha pedagoge e të drejtës të kisha ngelur në klasë me këto 3 fakte. Sinqerisht si zyshë, meqë më kërkove përgjigjie.

Continue Reading

Politike

‘Rama u shastis nga lajmet për Olsin’/ Berisha: Urdhëroi të priten ca koka turku…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e sotme pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi të vëllanë e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama si i përfshirë në laboratorin e drogës së Xibrakës.

Berisha u shpreh se kryeministri “urdhëroi të priten ca koka turku në mënyrë që publiku shqiptar të mos përqendrohen tek Olsi sonte, por të merren me Qaton dhe stër-Qaton.”, duke iu referuar arrestimeve të kryera sot të ish-zyrtarëve të Bashkisë Tiranë.

“Edi Rama sot mori atë që meritonte. Një javë më parë, ai në Opinion do t’i shtrembërohej fytyra dhe do nxirrte fjalë që vetëm ai mund të nxjerrë, kur moderatori i rikujtoi akuzën për Olsi Ramën në dosjet e hetimit.

Fyeu me fjalët që vetëm ai i ka të vetëm, kryetarin e grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, i cili iu përgjigj fjalë për fjalë: a je burrë, më prit në Opinion javën që vjen, të të faktoj me dokumente zyrtare se cili është Olsi dhe roli i tij.

 

 

Sonte, pas përpjekjeve që bëri për të dështuar emisionin, ka ngritur në këmbë polici dhe spiunë. Por shqiptarët do e shohin se kush është Edi Rama, se ç’përfaqëson klani Rama, se ç’përfaqëson drejtësia e tij. Shqiptarët me dokumente do shohin se pushteti i tyre nisi me drogën dhe do sosë me drogën gjer në përmbysjen e ardhshme.

Të dashur miq, i shastisur nga lajmet e drogës, në të cilat dosje hetimore faktonte se njeriu i paidentifikuar, 45-vjeçari me flokë të shkurtra dhe surrat Olsi, ishte vëllai i tij, urdhëroi Dumanin e tij të presë ca koka turku në mënyrë që publiku shqiptar të mos përqendrohen tek Olsi sonte, por të merren me Qaton dhe stër-Qaton. Të dashur miq, fatkeqësitë këtij kombi dhe asnjë kombi tjetër, nuk i vijnë nga poshtë lart, por i vijnë nga lart poshtë.

Fatkeqësitë nuk vijnë nga qytetarët, por vijnë nga pushtetarët hajdutë. Nga pushtetarë që vjedhin dhe i shtypin. Kjo është historia”, u shpreh ai.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING