✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

BLENDI KAJSIU “SHPËRTHEN” PËR VELIAJN: “BASHKIA U MBAJT PENG PËR INTERESA PERSONALE”

Debati mbi mundësinë e lirimit nga paraburgimi të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është përqendruar kryesisht te drejtësia: kritikët e shohin lirimin si problematik, ndërsa mbështetësit e tij e konsiderojnë skandal mbajtjen e gjatë në paraburgim pa një vendim gjyqësor.

Por, sipas politologut dhe analistit Blendi Kajsiu, përtej këtyre qëndrimeve ekziston një tjetër problem, më shumë politik sesa juridik: vazhdimi i Veliajt në detyrë, pavarësisht pamundësisë për ta ushtruar atë në funksion të qytetit.

Kajsiu argumenton se që nga momenti kur Veliaj u mor i pandehur dhe më pas u arrestua nga SPAK, aftësia e tij për të drejtuar Bashkinë e Tiranës u kufizua ndjeshëm. Në këto rrethana, sipas tij, një standard minimal politik do të kërkonte dorëheqjen e kryebashkiakut, sidomos duke pasur parasysh edhe goditjen që administrata e tij kishte marrë nga skandali “5D”.

“Ai vendosi ta mbante peng bashkinë më të madhe në vend dhe të përdorte pushtetin e postit publik për t’u mbrojtur juridikisht dhe politikisht. Kështu interesi publik i qytetit iu nënshtrua interesit personal të kryetarit”, shkruan Kajsiu.

Autori sqaron se nuk vë në diskutim të drejtën e Veliajt për t’u mbrojtur dhe as parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, ai nuk justifikon paraburgimin e gjatë apo ndonjë padrejtësi të mundshme nga sistemi i drejtësisë.

Problemi, sipas tij, qëndron te përdorimi i pushtetit publik për interesa personale, që mund të mos përbëjë domosdoshmërisht shkelje ligjore, por përfaqëson një shkelje të standardit etik të ushtrimit të detyrës.

Kajsiu e vendos rastin Veliaj në të njëjtën kornizë me përplasjet politike të Sali Berishës me SPAK-un dhe mbrojtjen politike që Edi Rama i ka ofruar Belinda Ballukut. Sipas tij, në të gjitha këto raste, institucione ose struktura publike dhe politike janë shndërruar në “mburoja personale”.

Në përfundim, Kajsiu argumenton se debati publik po fokusohet te dështimet e sistemit të drejtësisë, ndërsa po lihet në hije një çështje tjetër thelbësore: sakrifikimi i interesit publik për interesin personal të politikanëve.

Advertisement