Bota
Bomba gjeopolitike/ Trump përballë një Lindjeje të Mesme që nuk bindet më si dikur
Një arkitekturë e re sigurie po shfaqet në Lindjen e Mesme, ndërsa vendet e rajonit po kërkojnë gjithnjë e më shumë të mbështeten te mekanizmat e tyre, pa u shkëputur domosdoshmërisht nga aleancat me Shtetet e Bashkuara.
Në qendër të vëmendjes është një marrëveshje mes Arabia Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, e cila parashikon që një sulm ndaj njërës prej palëve të konsiderohet si sulm ndaj të trejave. Një mekanizëm që ngjan me parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe që mund të ketë ndikim në ekuilibrat e sigurisë në rajon.
Pakti vjen në një periudhë kur besueshmëria e rolit amerikan në Lindjen e Mesme është vënë nën presion nga konfliktet e shumta dhe përplasjet e viteve të fundit.
Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nuk po i ndërpresin marrëdhëniet me Uashingtonin. Turqia mbetet anëtare e NATO-s, ndërsa Riadi dhe Islamabadit kanë ende lidhje të rëndësishme të sigurisë me SHBA-në. Por marrëveshja interpretohet si sinjal se vendet e rajonit duan më shumë autonomi në çështjet strategjike.
Për Izraelin, një zhvillim i tillë mund të komplikojë përpjekjet për zgjerimin e normalizimit me vendet arabe, veçanërisht me Arabinë Saudite.
Një nga pikëpyetjet më të mëdha është Irani. Marrëveshja nuk e përcakton Teheranin si armik, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të krijohen mekanizma më të gjerë bashkëpunimi rajonal.
Në këtë skenar, Kina mund të luajë një rol të rëndësishëm. Pekini ka ndërmjetësuar më parë afrimin mes Iranit dhe Arabisë Saudite dhe mund të përfitojë nga një rajon më pak i varur nga struktura e sigurisë e drejtuar nga SHBA-ja.
Për Kinën, një Lindje e Mesme më multipolare do të krijonte hapësirë për zgjerimin e ndikimit ekonomik, energjetik dhe diplomatik, ndërsa Pakistani mund të shërbejë si një urë mes Pekinit dhe fuqive kryesore të rajonit.
Megjithatë, ende është herët të flitet për një aleancë që mund të zëvendësojë sistemin amerikan të sigurisë. Shumë prej marrëdhënieve të këtyre vendeve me Washingtonin mbeten të forta dhe interesat e tyre nuk përputhen në çdo çështje.
Por një gjë duket e qartë: Lindja e Mesme po bëhet gjithnjë e më multipolare.
Dhe pyetja që shtrohet tashmë është nëse rajoni po hyn në një epokë ku siguria nuk përcaktohet më nga një fuqi e vetme.
Kush do të ketë fjalën kryesore në rendin e ri të Azisë Perëndimore: Uashingtoni, Pekini apo vetë fuqitë e rajonit?