Aktualitet
BOMBA PLASI NE BEOGRAD, REAGON KRESHNIK SPAHIU
Juristi Kreshnik Spahiu ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd, duke i cilësuar qëndrimet e tij për Kosovën si të turpshme.
Spahiu tha se Zelensky, sipas tij, është përpjekur të “flirtojë” politikisht me aktorë të ndryshëm në arenën ndërkombëtare.
Duke komentuar qëndrimin e Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës, Spahiu e lidhi pozicionin e presidentit ukrainas me shqetësimet që Kievi ka për integritetin territorial të vendit.
“Në tërësinë e vet Zelensky ka tentuar të flirtojë me shumë palë në diplomaci dhe politikë. Nuk është një surprizë, sepse në bindjen e tij personale ai është kundër krijimit të shteteve të reja. Në tërësinë e vet, ai është në panik nga shkëputja, ndarja e Ukrainës dhe shikon interesin e ngushtë personal jashtë çdo parimi të së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Spahiu.
Juristi kritikoi gjithashtu profilin politik të Zelenskyt, duke pretenduar se pozicioni i tij aktual lidhet ngushtë me luftën në Ukrainë.
“Nuk njihet për ndonjë lider shumë serioz në politikë. Aty është për shkak të luftës. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte zgjedhje të lira në Ukrainë”, u shpreh ai.
Sipas Spahiut, deklaratat e presidentit ukrainas në Beograd i kanë shërbyer politikisht presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Ai pretendoi se vizita dhe qëndrimet e shprehura për Kosovën janë përdorur në funksion të zhvillimeve elektorale në Serbi.
“Zelensky është përdorur politikisht nga Aleksandër Vuçiç. Është një përdorim i qartë politik dhe elektoral, që është bërë tani në vigjilje të zgjedhjeve elektorale në Serbi”, tha Spahiu.
Sipas tij, deklaratat kanë shkaktuar reagime negative edhe mes shqiptarëve, ndërsa pretendoi se qëndrimi i Zelenskyt po kritikohet edhe nga kundërshtarët e tij politikë në Ukrainë.
“Kjo ka tronditur ndjesitë e gjithë komunitetit shqiptar, gjithë trevave shqiptare. Të gjithë kanë një mllef të jashtëzakonshëm me Zelenskyn dhe reaksioni ka mbërritur deri te opozita ukrainase, që e shikon si amatoresk këtë qëndrim të Zelenskyt”, deklaroi Spahiu.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Zelensky nuk duhet të presë mbështetje strategjike nga Beogradi përballë Moskës.
“Zelensky ende nuk është koshient që Serbia nuk mund ta ndihmojë, pasi partneri i tyre strategjik është Moska”, tha Spahiu