✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, ja me sa do tregtohen

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit ka zhvilluar mbledhjen e dytë, duke përcaktuar çmimet tavan për karburantet.

Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve dhe, sipas Bordit, synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Sipas vendimit të datës 7 tetor 2026, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin nuk duhet të kalojë 210 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në 198 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 190 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 178 lekë për litër.

Çmimet e reja kane hyre në fuqi sot, më 7 tetor, në orën 11:30, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ecurisë së çmimeve të karburanteve.

Bordi u ka bërë thirrje operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë çmimet e përcaktuara në vendim.

Në rast të konstatimit të shkeljeve, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve që nuk respektojnë vendimin.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se do të vijojnë monitorimin e tregut, me synim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme.

Advertisement