Connect with us

Sport

Botërori 2026/ Fundoset samba braziliane, Haaland e çon Norvegjinë në çerekfinale

Një nga favoritët për të fituar Kupën e Botës i jep fund aventurës. Brazili është eliminuar në fazën e 1/8-ave të Botërorit, pasi u mposht 2-1 nga Norvegjia, me një Erling Haaland të pandalshëm që vulosi kualifikimin historik të skandinavëve.

Edhe pse “Seleçao” e nisi takimin më mirë dhe pati mundësinë ideale për të kaluar në avantazh që në pjesën e parë, Bruno Guimarães shpërdoroi një penallti, me portierin Ørjan Nyland që u shndërrua në heroin e norvegjezëve duke pritur goditjen.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Norvegjia mori kontrollin e sfidës në fraksionin e dytë. Në minutën e 79-të, Andreas Schjelderup dhuroi një asist perfekt për Erling Haaland, i cili me një goditje të saktë me kokë mposhti Alissonin dhe kaloi norvegjezët në avantazh.

Kur Brazili hodhi të gjitha forcat në sulm për të gjetur barazimin, erdhi edhe goditja e nokautit. Në minutat shtesë, Schjelderup shërbeu sërish për Haaland, i cili finalizoi me qetësi për 2-0, duke vulosur një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori.

Brazili shënoi golin e nderit me Neymar, nga pika e penalltisë në kohën shtesë, por kjo nuk mjaftoi.

Me këtë fitore, Norvegjia siguron një vend në çerekfinale, ndërsa Brazili largohet herët nga turneu, pavarësisht pritshmërive të mëdha dhe emrave të spikatur si Vinicius Junior, Neymar dhe Casemiro. Heroi absolut i mbrëmjes ishte Erling Haaland, i cili me dopietën e tij i dha Norvegjisë një kualifikim historik dhe ëndrrën për të synuar edhe më lart në Kupën e Botës

Advertisement