Politike
Braçe: Greqia s’ka asnjë të drejtë të mbajë sigurimet shoqërore të shqiptarëve
Deputeti socialist Erion Braçe i ka kërkuar shtetit grek që të nënshkruajnë marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë.
Nga salla e Kuvendit, Braçe tha se e drejta e drejta e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Greqi, është një e drejtë themelore e tyre, e cila sipas deputetit socialist, po iu mohohet. Braçe shtoi se Greqia ua ka njohur sigurimet shoqërore polakëve e rumunëve.
Ai tha gjithashtu se Sali Berisha në kohën që ka qenë kryeministër, nuk ka bërë asgjë për njohjen e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.
“Ajo që dhemb shumë në këtë histori, është marrëveshje me Greqinë. Berisha ka qenë disa herë kryeministër i Shqipërisë disa herë, por nuk ia doli të arrijë një marrëveshje për punëtorët shqiptarë që kanë qenë, kanë punuar e kontribuar, kanë mbajtur ekonominë e Greqisë, në harkun e viteve të tij. Edhe sot që e kishte mundësinë të fliste për këtë gjë, nuk e tha asnjë fjalë. Sepse për të shqiptarët e Greqisë, apo punëtorët shqiptarë të Greqisë, janë kundërshtarë. Janë njerëz që kanë votuar 90-95% PS-në.
Prandaj për ta nuk duhet folur. Kjo nuk është një histori pensionesh, por një çështje themelore e të drejtave të njeriut, e shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Greqia s’ka asnjë të drejtë të mbajë atje kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Kur nuk u jep atyre asnjë shërbim. Konkurrojmë ne si vende fqinje edhe për informalitet. Greqia po shkel të drejtat themelore të shqiptarëve. Polakëve e rumunëve Greqia ua ka njohur sigurimet shoqërore. Si ka mundësi që Greqia kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë këtu në Shqipëri dhe nuk kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë në Greqi”, tha mes të tjerash Braçe.