✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Braçe i thotë “jo” hartës së re: Nuk është kjo reforma që na duhet

Deputeti socialist Erion Braçe ka konfirmuar qëndrimin e tij kundër draftit të ri të reformës administrativo-territoriale, duke argumentuar se ndryshimi i numrit dhe kufijve të bashkive nuk duhet të jetë thelbi i reformimit të pushtetit vendor.

Braçe ka sqaruar se nuk e kundërshton nevojën për reformë, por mënyrën se si është konceptuar ajo. Sipas tij, një reformë e pushtetit vendor duhet të synojë përmirësimin e qeverisjes, decentralizimin dhe forcimin e autonomisë së bashkive, dhe jo vetëm riorganizimin e hartës territoriale.

“Reformën nuk e shmang e as e refuzoj. Është nevojë, por si reformë për mirëqeverisje, jo si vizatim i një harte”, është shprehur Braçe.

Qëndrimi i tij vjen në një moment kur drafti i ri parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore. Braçe dhe deputeti tjetër socialist Vullnet Sinaj kanë votuar kundër propozimit gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

Në reagimin e tij, Braçe thekson se reforma duhet të mbështetet në parime dhe kritere të njëjta për të gjithë territorin dhe jo vetëm në një vendimmarrje të lidhur me numërimin e votave.

Reagimi i Braçes:

Për hartën territoriale, mbledhjen e grupit,

argumentat, qëndrimin tim mbështetur në parime,

votën kundër dje dhe sanksionet si kërcënim!

Ju detyrohem një sqarim të qartë për çfarë ndodhi dje,

duke i dhënë fund spekulimeve e keqpërdorimit;

Dëgjojeni videon dhe keni të qartë qëndrimin tim për reformën e pushtetit vendor – unë nuk e shmang e as e refuzoj reformën, është nevojë, por si reformë për mirëqeverisje, jo si vizatim i një harte;

Mbështetur në parime e kritere të barabarta, të zbatuara në të gjithë territorin e Republikës – reformën e mban dhe e bëjnë të qëndrueshme parimet, jo votat;

Tirana dhe modeli i saj i zhvillimit duhet të jetë thelbi i reformës së pushtetit vendor – nxjerrja e Tiranës nga cikli i varësisë së thellë nga ndërtimi dhe financimi i funksioneve dhe shërbimeve veç prej tij;

Është koha që qeveria t’i japë jetë decentralizimit dhe autonomisë në territor, të mendojë e bëjë transferimin më të madh të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve e taksave, buxheteve tek pushteti vendor – nuk ka ndodhur asnjëherë qysh kur këto parime u vendosën në Kushtetutë;

Përqendrimi i pushtetit në veç dy pole nuk është i mirë për të gjithë, duke nisur nga qytetarët – duhet të thyhet tani për të deleguar veçanërisht fuqi shërbimi deri tek hallka më e fundit e kontaktit me qytetarin;

Kështu një hartë për reformë;

Si hartë është e përkohshme, e paqëndrueshme, e pamjaftueshme, nuk është ajo që na kërkohet dhe që duhet për të qeverisur mirë, përmirësuar!

Për të bërë gjënë e duhur nuk e kam fare problem votën dhe sanksionet e saj si kërcënim; fare!

Sepse është përgjegjësia jonë të bëjmë gjënë e duhur, vërtetë, jo me sikur, mbështetur mbi parime e që përmirëson qeverisjen në këtë nivel!

Advertisement