Politike
Braçe kundër hartës së re: Ky projektligj ndryshon jetën e njerëzve, jo kufijtë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj reformës së re territoriale, duke argumentuar se ndryshimet në organizimin administrativ të vendit duhet të mbështeten te parimet dhe nevojat e qytetarëve, dhe jo te interesat politike.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe u ndal fillimisht te marrëdhënia që ka krijuar ndër vite me banorët e zonave ku ka përfaqësuar si deputet. Ai kujtoi edhe zgjedhjen e tij të parë në Poliçan.
“U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan, kur njerëz që janë ende në këtë sallë më donin të humbur dhe të dështuar”, deklaroi Braçe.
Ai tha se për 17 vite ka marrë mbështetjen e banorëve të Poliçanit, Beratit, Kuçovës dhe më pas Kavajës, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si një lidhje njerëzore që, sipas tij, duhet të merret në konsideratë kur diskutohen ndryshimet territoriale.
“Unë kam jetuar me këta njerëz dhe u jap mirënjohje. Kush mirënjohjen nuk e njeh, lidhjen me këta njerëz nuk e njeh. Nuk është as emocionale dhe as folklorike, është marrëdhënie njerëzore dhe kush nuk e ka, nuk e kupton kurrë”, u shpreh ai.
Duke iu rikthyer reformës territoriale, Braçe tha se ndër vite pushteti vendor ka kaluar nëpër ndryshime të shumta, ndërsa kritikoi idenë se harta administrative mund të përcaktohet duke u nisur nga përfitimet elektorale.
“Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit. Reforma që kemi përpara është një ligj që vizaton një hartë të re”, tha Braçe.
Sipas tij, reforma e vitit 2014 nuk ka dhënë zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha problematikat e pushtetit vendor dhe ndryshimi i hartës nuk duhet të shihet si një instrument për krijimin e avantazheve politike.
“Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe, si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot”, deklaroi ai.
Braçe shtoi se edhe harta e re, nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi në vitin 2031, duke theksuar se qëndrueshmëria e një reforme, sipas tij, duhet të bazohet te parimet dhe jo te numri i votave që mund të prodhojë.
“Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë dhe kjo u tha hapur dhe pa ndrojtje hiç”, tha deputeti socialist.
Në vijim, Braçe argumentoi se reforma nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimi i kufijve administrativë, por duhet të marrë në konsideratë ndikimin që do të ketë te qytetarët.
“Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, u shpreh ai.
Braçe ngriti gjithashtu çështjen e kompetencave të bashkive dhe financimit të tyre. Duke iu drejtuar deputetit dhe ministrit Arbjan Mazniku, ai tha se një pjesë e kompetencave të pushtetit vendor janë transferuar pa mbështetjen e nevojshme financiare.
“Po flas për kompetencat Arbër (Arbjan Mazniku). Dëgjova që i referohesh kompetencave të bashkisë, që ata nuk i kanë përmbushur. Kompetenca të pasakta. 46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”, deklaroi Braçe.
Debati për reformën territoriale vijon në Kuvend, ndërsa propozimet për ndryshimin e hartës administrative kanë shkaktuar përplasje politike edhe jashtë sallës së parlamentit.