✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BRAÇE SFIDON RAMEN PER TIRANEN: NUK E PRANOJ KANDIDATUREN E DHURUAR

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës të përcaktohet përmes një gare reale dhe votimit, duke kundërshtuar idenë që emri të shpallet drejtpërdrejt nga kryetari i partisë, Edi Rama.

Braçe sqaroi se nuk është vetëpropozuar për kandidaturën, por ka kërkuar që socialistët të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesin e tyre përmes votës.

“Kam kërkuar garë, nuk jam vetëpropozuar”, deklaroi Braçe, duke shtuar se në proces duhet të përfshihen edhe simpatizantët e PS-së, si dhe qytetarë të shoqërisë civile që dëshirojnë të ndikojnë në mënyrën e qeverisjes së kryeqytetit.

I pyetur nga Rakipi nëse kërkon primare, si ato që zhvillohen në Partinë Demokratike, Braçe këmbënguli se thelbi është zhvillimi i një gare të vërtetë, ku kandidati dhe platforma e tij të përcaktohen përmes votës.

Deputeti socialist theksoi se nuk pret që Edi Rama ta shpallë atë kandidat dhe se, edhe nëse kjo do të ndodhte, nuk do ta pranonte pa një proces gare. Sipas tij, çështja duhet të trajtohet nga forumet e Partisë Socialiste dhe jo si një marrëveshje personale me kryeministrin.

“Nuk kam kërkuar të dalë Rama të thotë është Braçe kandidat, edhe sikur të ndodhë kjo nuk e pranoj”, u shpreh ai.

Braçe hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e kandidimit si i pavarur, në rast se kërkesa e tij nuk pranohet nga drejtuesit socialistë.

Gjatë bisedës, ai mohoi edhe ambicien për t’u bërë kryeministër, duke e ndarë këtë mundësi nga dëshira për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.

“Nuk dua të bëhem kryeministër, por punën e kryetarit të bashkisë, nëse ma japin qytetarët”, deklaroi Braçe.

Ai shtoi se është pjesë e Partisë Socialiste prej kohësh dhe se drejtuesit aktualë e kanë gjetur në këtë forcë politike, duke nënvizuar se kërkesa e tij lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit dhe jo me largimin nga partia.

Advertisement