Connect with us

Shkrime

Bukshkalë, atdhemohuese, e përdalë… dhe patriotët e rrjetit

Nga Çapajev Gjokutaj

Komentues anonimë të disa rrjeteve sociale kanë shperthyer në akuza, madje edhe fyerje për Rita Orën. Disa u bëjnë thirrje autoriteve në Prishtinë t’i heqin titullin honorifik si ambasadore e Kosovës, të tjerë pasi përflasin ‘etjen’ e saj për para, shtyhen në teori konspirative se paska bërë pazar me shovinistët serbë, ka të tjerë akoma që, s’u peshon shumë, i bien shkurt dhe e quajnë të përdalë. Gjithë kjo histeri ‘patriotike’ shpërtheu ngaqë para dy ditësh, në një festival në Hungari, këngëtarja e famshme u pa tek këndonte me një flamur serb në dorë. Siç e shpjegoi vet shqiptarja me famë botërore, kjo sekuencë s’ishte veçse një keqkuptim: një fans nga rreshtat e para i kishte hedhur një flamur serb që, nën dritat e skenës dhe në vrullin e interpretimit, këngëtarja e kishte pandehur flamur hungarez. Gjithsesi flamuri serb, si gjithë flamujt e kombeve, meriton trajtim dinjitoz se simbolizon vlerat dhe aspiratat e një populli të tërë dhe s’mund të barazohet me genocidin dhe gjakderdhjet e millosheviçëve. Po, kur është fjala për propagandë e poza atdhedashurie, patriotët e rjeteve sociale nuk të falin asnjë grimë, zerojnë brenda sekondës gjithë kontributin e Rita Orës për popullarizimin në rrafsh botëror të Kosovës dhe të vlerave shqiptare dhe sulen ta shpallin bukshkalë e atdhemohuese. Dhe të gjithë këtë, shumica e bëjnë me një shqipe të varfër e të përçudnuar, mbushur me lajthitje, fjalor e sintaksë analfabetësh. Kaq e sakatuar është gjuha në të cilën i shkruajnë komentet, saqë të vjen t’u kthehesh: po qe se do i donit kaq shumë vlerat shqiptare, do kishit shpenzuar pak kohë dhe mund për ta mësuar këtë të uruar shqipe. Ta përdorësh gjuhën amtare si këta është si ta nxjerrësh nënën në publik veshur si zhelane!

Shkrime

Besëprerët e Perëndimit dhe Kosova e tradhtuar

“Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.

Keni vënë re që e keqja njerëzve u vjen prej të njohurve dhe jo prej të panjohurve. Ai që të njeh i di dobësitë tua dhe peshon interesat e veta para sesa të të bëjë keq. Kjo po i ndodh edhe Kosovës me refuzimin për ta vënë në rend dite pranimin në Këshillin e Evropës. Pra, Kosova nuk është në axhendën e datës 17 maj. Kjo, sepse Fuqitë e Mëdha nuk pranuan të kalojë vendimi i Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli për shkak se kryeministri i Kosovës refuzoi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në fakt nuk pranoi që pakoja e marrëveshjes së Brukselit të copëzohet në interes të palës serbe dhe që kalendari i Aneksit të Ohrit të ndryshojë. Pra, sepse Albin Kurti i përmbahet Marrëveshjes së shkurtit dhe aneksit të marsit 2023” – kështu ka shkruar në një opinion, professor doctor Enver Bytyçi, sipas të cilit, nga e gjithë kjo histori qytetari ka të drejtë të dijë disa të vërteta.

“E vërteta më e madhe ka të bëjë me faktin se disa Fuqi Perëndimore nuk e mbajnë fjalën. Në krye të tyre janë Franca dhe SHBA-të. Ndërsa Gjermania është shndërruar në vagon të lokomotivës franceze. Italia e Melonit të refugjatëve që i sjell në tokën arbërore jo e jo! Ajo dëshiron benefite politike nga kjo tokë, por nga ana tjetër e dhunon atë edhe politikisht dhe në integritetin e saj” – ka shkruar Bytyçi, duke shtuar se kjo e vërtetë ishte e pranishme prej kohësh.

“Kur Fuqitë e Mëdha heqin dorë nga fjala që japin, atëherë besimi shkërmoqet dhe po u shkërmoq besimi, nuk ka më as marrëdhënie miqësie. Kjo do të ndodh edhe me Kosovën. Mund të vijë dita e të mos bëjë punë më miti i çlirimit të saj nga miqtë amerikanë e evropiane.

Sepse nëse ajo u çlirua për t’u rikthyer nën Serbinë ose për ta shpërblyer atë me territore të Kosovës, atëherë ky lloj “çlirimi” shndërrohet në skllavëri” – ka theksuar Bytyçi duke potencuar:- Për ta ndëshkuar Kosovën vendet që e kanë njohur atë nuk i përmbahen marrëveshjes që vetë e sponsorizuan. Kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit në shkurt 2023, u tha se ajo ishte e sponsorizuar nga Franca dhe Gjermania. Kurti e pranoi menjëherë. Kërkoi nënshkrimin e saj. Ka pranuar edhe ngritjen e Asociacionit, por në procesin e zbatimit të plotë të asaj marrëveshjeje. Tani Franca dhe Gjermania bëjnë të kundërtën. Edhe pse Aleksandër Vuçic nuk e nënshkroi atë. Edhe pse kryeministrja e Serbisë shkroi letër për BE-në dhe e hodhi poshtë atë marrëveshje, Serbia vazhdon të përkëdhelet……………………..

Bytyçi shkruan gjithashtu se “Për hatër të presidentit serb Kosova nuk do të jetë në rend dite në Komitetin e Ministrave të KiE-së. Se mos zemrohet ai, Kosova duhet të paguajë çmimin e të qenit jashtë kësaj organizate. Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.

Serbia kërcënon Perëndimin me luftë në Ballkan. Pse shqiptarët të mos bëjnë të njëjtën gjë, derisa kjo po funksionon me Serbinë?! E di se shumë shqiptarë do thonë “nuk e duam luftën”! Por ka shumë më tepër serbë, sesa shqiptarë, të cilët nuk e duan luftën. E megjithatë kreu i shtetit të Serbisë kërcënon me luftë. Dhe ai nuk do të heq dorë asnjëherë nga ky kërcënim, derisa shteti i Kosovës të mos marrë më frymë. Çfarë duhet të bëjmë? Të shkojmë si delja e plagosur pas ujkut Serbi?! Jo! Duhet të bëhemi bashkë! Të qërojmë hesapet me tradhtarët brenda nesh dhe të fillojmë e kërcënojmë edhe ne me luftë. Jo për të pushtuar ndonjë territor të huaj. Për të mbrojtur territorin e shtetit të Kosovës! Nuk shoh mundësi tjetër që ata që e kanë njohur Kosovën juridikisht ta njohin atë edhe praktikisht”

 

Continue Reading

Shkrime

Mitingu i Athinës, Fshesës i është vënë fshesa

Nga Skënder Minxhozi

Afrimi i të dielës, kur Edi Rama do të mbajë një miting në Athinë me emigrantët tanë atje, ka hedhur benzinë të re mbi zjarrin diplomatik që digjet prej një viti mes Shqipërisë e Greqisë.  Ndërkohë që përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe ambasadës tonë në Athinë vijojnë të kërkojnë një sallë apo stadium për mbajtjen e takimit të Ramës me bashkëkombasit e vet, kreu i opozitës greke ka qenë politikani i lartë grek i radhës që ka ardhur në Dropull pa u ndaluar apo provokuar nga askush. Ka vizituar bashkinë e Dropullit, shkollat ku mësohet greqisht dhe ka vënë lule në memorialin e Bularatit. Asnjë problem, asnjë presion, asnjë bllokim nga qeveria qëndrore në Tiranë.

Nëse Shqipëria është mësuar që t’i përjetojë me qetësi dhe vetëpërmbajtje këto inkursione të përsëritura diplomatike të fqinjëve grekë në tokën e saj (dhe shumë mirë që është kështu), ngjan krejt e kundërta me palën tjetër. Tendosja që ka shkaktuar vizita e Ramës në politikën dhe mediat greke, përmbledh njëherësh mllef dhe habi. Nuk ka qenë zakon që fqinji i varfër verior të tregojë kaq guxim dhe sfidë në rrafshin diplomatik. Në Athinë janë mësuar që paradat e politikanve e gazetarëve të ndodhnin vetëm në sens të kundërt. Janë mësuar fjala vjen që Himara të kthehet në një sfilatë parlamentarësh e reporterësh grekë në kohë zgjedhjesh këtu tek ne, por s’ishte parë që një kryeministër shqiptar të ngulë këmbë që të takojë shqiptarët në Greqi (dhjetra mijëra prej të cilëve me të drejtë vote në zgjedhjet greke), në mesin e fushatës zgjedhore atje.

Nuk dihet nëse qeverinë greke e acaron më shumë spostimi eventual i votave që mund të bëjë Rama me takimin e tij, apo kokëfortësia e kryeministrit shqiptar, i cili pasi “na la burg Belerin, vjen të na bëjë karshillëk në mes të Athinës”?!

Kjo axhendë e re e përmbysur në marrëdhëniet dypalëshe është një rrethanë shumë shqetësuese për politikën greke, pasi e tejkalon dëmin elektoral të momentit. Udhëtimi sfidues i Ramës në Greqi është një kundërsens  historik, një ndryshim drastik raportesh diplomatike, një krisëm në mes të një koncerti për veshët e politikës zyrtare në Athinë.

Prej dekadash Greqia ka përdorur një linjë politike të qartë ndaj Shqipërisë, e cila ka qenë thelbësisht e shbalancuar dhe e anuar drejt interesave greke. Qeveritë greke kanë reklamuar dhe kanë marrë gradualisht të gjitha të drejtat për të cilat jua mbyllnin gojën rregullisht qeverive shqiptare. Shkolla në gjuhën greke për minoritetin, memoriale të Luftës së Dytë Botërore, mbajtje në këmbë në mënyrë paradoksale të Ligjit të Luftës, marrëveshje antikushtetuese për kufirin detar dhe mbi të gjitha kyçje totale e gojës për çdo gjë që ka lidhje me dosjen çame. Kjo ka qenë në 30 vitet e fundit marrëdhënia shqiptaro-greke ku njëra palë ka arritur gjithçka e pala tjetër thuajse asgjë.

Rasti Beleri shënoi kthesën e madhe në këtë marrëdhënie me nje drejtim. Ai që dukej si një sherr i vogël elektoral për Himarën (sa konflikte ka prodhuar një shami-vend si Himara), u kthye gradualisht në preludin e një stine krejt të panjohur në raportet historike mes dy vendeve. Teksa Athina, në vazhdën e traditës shumëvjeçare, i mori me radhë mjetet e saj të presionit mbi Tiranën zyrtare pas arrestimit të Fredi Belerit, për herë të parë Evropa i përplasit derën në fytyrë Greqisë duke marrë anën e shtetit shqiptar. Ky qe sinjali i alarmit për Micotakisin dhe rrethana që i dha hov Ramës për të qëndruar fort për çeshtjen Beleri. Por sot, një vit pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, asistojmë më shumë në një kundërvënie shtetesh dhe tradite diplomatike, sesa në një konflikt gjyqësor për një njësi vendore ku kanë mbetur vetëm pleq e plaka.

Nisma e Edi Ramës për një sfidë të hapur në Athinë ka përmasat e një ngjarjeje të paprecedent, por është edhe prova materiale e nje ere të re në rolin dhe peshën e Shqipërisë në rajon. Mesazhi është sa i thjeshtë, aq edhe unikal: keni bërë ç’keni dashur në kohë fushatash në Jug të Shqipërisë, pse të mos e bëjmë edhe ne një herë të vetme këtë në kohë fushate në vendin tuaj?! Për më tepër që Rama po shkon të takojë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi si emigrantë ekonomikë, e jo të kërkojë ndonjë të drejtë pronësore, fetare, apo gjuhësore ndaj shtetit grek.

Pala greke ndodhet në një situatë mjaft delikate në raport me mitingun e dymbëdhjetë majit në Athinë pasi nëse Rama e mban këtë takim me shqiptarët atëherë ai do të ketë triumfuar dhe këtë herë në raport me krahun e forcës që tentoi ndaj tij Micotakis në vitin e fundit.

Në anën tjetër, nëqoftëse Rama pengohet të shkojë në Greqi ai do të jetë kryeministri i një vendi anëtar të Natos dhe i një vendi fqinj, të cilit do t’i mohohet ajo që qeveritë greke kanë bërë me dekada rresht në Shqipëri. Me analogji do t’i binte që këtej e tutje edhe për politikanët grekë të bëhej e vështirë të zbarkonin në Himarë e Dropull sa herë ta mendonin e dëshëronin.

Vizita e Ramës së “paftuar” prish punë në të dyja rastet, edhe nëse ndodh edhe nëse nuk ndodh, pasi efektet për Athinën zyrtare do të jenë njëlloj të komplikuara. Për këto arsye mesazhet dhe lajmet që vijnë këto orë nga Athina për mitingun janë kontradiktore aq sa një herë thuhet se u gjet ambjenti i takimit dhe pas pak orësh pronari i sallës apo stadiumit papritmas thotë se po i pikon çatia.

Greqia është e pamësuar që të ndjekë Tiranën zyrtare në lëvizjet e saj në marrëdhniet dypalëshe. Është mësuar vetëm të udhëheqë vallen dhe ritmin që ka dashur, duke ja imponuar atë shtetit shqiptar. E ka gjetur veten të papërgatitur për shpërthimin e Ramës ndaj Belerit në zgjedhjet e vitit të shkuar, nuk e ka pritur që qeveria shqiptare të rezistojë kaq fort ndaj trysnisë për ta liruar atë nga burgu dhe akoma më pak ka pritur që Shqipëria t’ja arrijë që të kthejë edhe Evropën e Bashkuar, më së pari Gjermaninë, kundër kryeministrit Micotakis në këtë çeshtje.

Athina ka bërë këto tridhjetë vite siç ka dashur në raport me elitën politike shqiptare. Ka arritur, me kërcënimet e saj të përsëritura, që të ketë një influencë të qartë mbi vendimmarrjet e caktuara të Tiranës, ka ngritur zërin edhe kur e kishte gabim në lidhje me pakicën greke në vendin tonë, është përpjekur të shtrijë forcërisht zonën e minoritetit grek deri në këmbët e Karaburunit dhe gjithçka e ka bërë duke lidhur presionin e saj me fatin e emigrantëve tanë ekonomikë në Greqi dhe me perspektivën e integrimit evropian.

Këto karta presioni kanë rënë sepse jetojmë në një kohë tjetër. Mesa duket i takon Micotakisit të provojë në kurrizin e tij këtë kthesë historike, e cila sot i vjen nga një shtet i vogël e i varfër, por që ka një tjetër rol dhe dimension në rajon e Evropë nga ai i dikurshmi. Fshesës i është vënë fshesa!

Continue Reading

OPINION

Rrethimi i tretë i shqiptarëve!

Nga Arian Galdini
Është interesante të shqyrtosh të gjitha ngritjet ciklike politike të doktrinave dhe zërave që veshin qyrkun nacionalist në Shqipëri e ndër ne shqiptarët, madje edhe në Trevat e tjera ku ne jetojmë në Ballkan, prej vitit 1912 e deri sot.
Psh, mëvetësimin e quajtëm arritje se shpëtuam një copëz Shqipërie e lamë peng të tjerat.
Princ Vidin e përzumë se nuk donim një të huaj mbi krye prandaj edhe i besuam Haxhi Qamilit që gërthiste DumBabën ndërsa sytë dhe zemrën i kishte në Stamboll.
Ahmet Zogu e rrëzoi Fan Nolin me ushtrinë e Pashiqit për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve, por pa Manastirin.
Enver Hoxha hyri në Tiranë me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, e pastaj e braktisi Titon për Stalinin dhe Hrushovin për Maon, por kur ngeli edhe pa Maon u kujtua për Kosovën në vitin 1981.
Sali Berisha në vitin 1990 erdhi si lideri i demokratëve i cili ndër të tjera e kishte edhe nacionalizmin si kauzë të shprehur.
Derisa u përplas me “të pestët” dhe përqafoi Nicholas Gage dhe Grekët.
Derisa u përplas me Ibrahim Rugovën dhe përqafoi Adem Demaçin, pastaj pasi e quajti UÇK organizatë terroriste marksiste – leniniste, iu përvesh Rambujesë, e kështu me radhë.
Derisa në Maqedoni iu turr Abdurrahman Halitit dhe PPD për të ndihmuar Gligorovin dhe dobësuar nëpërmjet përçarjes faktorin shqiptar atje.
E kështu me radhë e me radhë e me radhë.
Fatos Nano nuk ka nevojë të shqyrtohet sepse ai kurrë nuk e eksploroi nacionalizmin, kësisoj endej nga Kreta ku pinte whiskey me Milosheviçin në Athinë për uzo me Papandereun.
Ilir Meta vraponte për shoqni me Xhinxhiçin e Tadiçin por nuk harronte të merrte ndonjë dekoratë nga Athina.
Edi Rama sa erdhi në krye të Qeverisë u vërsul drejt Erdoganit, u vëllazërua me Vuçiçin dhe nuk la kurrë pas dore asnjë autokrat ballkanik.
Prej vitit 2013, kemi një marrëdhënie lineare të patrazuar miqësore e vëllazërore të Edi Ramës me Vuçiçin, por asnjë Kryeministër i Kosovës kurrë nuk e pati fatin të ishte i mirëpritur zemërhapur nga Kryeministri i Shqipërisë pas 2013.
Edi Rama kurrë nuk e gjeti as mik e as bashkëpunëtor as Isa Mustafën, as Ramush Haradinajn, as Abdullah Hotin e as Albin Kurtin.
Ka një përpjekje romantike e propagandistike për ta kompensuar këtë mungesë të madhe me një “miqësi speciale” mes Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, e megjithatë asgjë nuk e mbush dot honin e thellë të mos-shkuarjes fatale mes Kryeministrit të Tiranës me Kryeministrin e Prishtinës.
Nga ana tjetër kemi parë fraksione të vogla politike të cilat nacionalizmin e kanë instrumentalizuar si kauzën e tyre partiake.
Kemi parë Aleancën KuqeZi disa vite më parë në Shqipëri e cila për shumë muaj u kthye në parti politike që ngjasonte me dhomat e zhveshjes së futbollistëve ku të gjithë ulërisnin për fitore para ndeshjes, e pas humbjes shkonin në PUB të qanin ndërsa rrëkëllenin birra duke sharë arbitrat për padrejtësi.
Cilat ishin tezat e AKZ?
Bashkim Kombëtar, jemi KuqeZi, Kreshniku është më i madh se Berisha, Meta, Rama e madje e ka në xhepin e vogël edhe Albin Kurtin.
Kaq.
Pas ndeshjeve elektorale, Kreshniku iku dhe u bë shqiptar i Diasporës dhe analist mediatik.
Liderit Nacionalist i ranë brekët kuqezi dhe veshi tunikën e opinionistit kuqezi.
Çuditërisht, askush nuk u ndal kurrë të pyeste, po çfarë u bë me atë masë njerëzore e cila u ndërzye elektoralisht nga “dhoma e zhveshjes” së AKZ?
Kush e bëri atë eksperiment social, politik dhe elektoral në Shqipëri?
Ç’qëllim kishte ai eksperiment?
Nëse ju kujtohet, eksperimenti lindi me kauzën e detit, prej ngaku u ngjiz edhe një “shoqëri e re” mes PS dhe Ankarasë.
Pakti i Detit me Greqinë ra në Kushtetuese dhe Edi Rama u prit pak ditë para fitores së zgjedhjeve në qershorin e 2013, nga Erdogani në Kryeqytetin e Turqisë.
Pakti i Ramës me Erdoganin sigurisht që do e bënte të panevojshme aleancën apo koalicionin e PS me AKZ.
Kështu që Kreshnikut ia zhveshën mantelin kuqezi dhe e lanë të sillej ca kohë vërdallë për të kuptuar çfarë kishte ndodhur.
Interesant është fakti se “çunakët” e asaj kohe rreth Kreshnikut, u thirrën që ta braktisnin dhe linin vetëm Liderin KuqeZi dhe ata u bindën pa bërë as gëk e as mëk.
Kush i thirri?
Kush ua kërkoi ta prisnin në besë e ta linin vetëm “Liderin e tyre Kuqezi”?
Edi Rama fitoi në 2013 me Ilir Metën e nuk i duhej fare më asnjë votë nga “dhoma e zhveshjes” së AKZ.
Atëherë me durim Edi Rama si Kryeministër me bashkëkryetar koalicioni Ilir Metën, nisi projektin e “Timonierit të vetmuar”.
Prej sa i hyri kësaj hullie, Edi Rama nisi të mendonte për çdo votë, përfshirë edhe ato eksperimentalet nacionaliste të “dhomës së zhveshjes” AKZ.
Por si do ti siguronte këto vota pa një marrëdhënie të mirë me Kryeministrin e Prishtinës?
E thjeshtë.
I duhej një “luftë” me dron dhe top futbolli.
E kush mund t’i vinte në ndihmë përveçse “vëllai” Vuçiç?
Mjaftoi një ndeshje futbolli, e një propagandë spektakolare mbi rrezikun e një lufte që mund të lindtte nga një ballist dhe gjithçka u vu në skenë përsosmërisht.
Vuçiçi ia mundësoi edhe “Kalin” e Beogradit prej nga ku Edi Rama si shqytar kuqezi shkoi dhe bëri thirrje për Pavarësinë e Kosovës mu në mes të kryeqendrës së shkjajve.
Të gjithë e besuan dhe imazhi i Edi Ramës filloi të konstruktohej si “Kreshniku KuqeZi”.
Kreshnikut të AKZ ia zbathën brekët dhe i kthyen në kravatë për Kreshnikun e Rilindjes.
E për të mos u zgjatur më tej, e bëra të gjithë këtë parashtrim që të kuptohet tashmë lehtë kur unë them se sipas meje, nuk ka asnjë konflikt mes Edi Ramës dhe Qirjako Micotaqis.
Gjithçka po shkon fjollë sipas planit.
Micotaqis ka nevojë për votat e Agimit të Artë, e për rrjedhojë i duhet Fredi Beleris dhe i bën punë çdo “sherrnajë” me Edi Ramën.
Edi Ramës i duhet “kravata kuqezi” që të vijojë ti marrë i qetë votat e “dhomës së zhveshjes AKZ”, por edhe të vijojë ta mbajë të kuruar imazhin e Liderit Madhështor të Shqiptarëve që po na ngre lart dinjitetin kudo e ngado në botë.
Është i gjithi operacion i përbashkët propagandistik dhe elektoral.
Nga ana tjetër, Edi Rama qëllimisht “përfshihet” në mes të zgjedhjeve me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut sepse e di që rezultati zgjedhor atje do të rikthejë Partinë e Ish – Kryeministrit Gruevski.
Për rrjedhojë, Ali Ahmeti tashmë i detyruar të pranojë daljen në Opozitë pas 2 dekadash shndërrohet me apo padashje në kavaletë për telajon e imazhit patriotik dhe dinjitar të Edi Ramës, kurse Albin Kurti paradoksalisht fajësohet për rikthimin e “Antishqiptarëve” në krye të Qeverisë së Shkupit.
E njëjta ka ndodhur me Dritan Abazoviçin.
Tejmbështetja e sheqerosur e Edi Ramës për ishKryeministrin e parë shqiptar të Malit të Zi, solli në pushtet Partitë Proserbe e Proruse në Podgoricë.
Tirana dhe Prishtina duken si dy akse të kundërta.
Edi Rama mbështet ata që janë kundër Albin Kurtit edhe në Luginën e Preshevës, edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Mal të Zi.
Albin Kurti mbështet këdo që është vetëm me të e kundër kujtdo.
Dhe rezultati është ky.
Maqedonia e Veriut me Mickovskin dhe VLEN këtej e tutje do ketë një pozicionim politik në përplasje me Perëndimin.
Dhe ne e dimë që kur në vendet e Ballkanit ka rryma politike që përplasen me Perëndimin, janë shqiptarët ata që e vuajnë.
Njëlloj po ndodh në Mal të Zi.
Vetë Kosova e Albin Kurtit është në një kurs përplasjeje a së paku mospërputhjeje me Perëndimin.
Paradoksalisht Albin Kurti është gjithashtu “nacionalist i madh” por që nuk e ka problem t’i japë mbështetje VLEN në Maqedoninë e Veriut e kështu të sjellë në pushtet Partinë “AntiShqiptare” VMRO – DPMNE.
Paradoksalisht Albin Kurti njëlloj përçan partitë e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, duke sjellë realitete absurde si pasojë dhe ardhjen në pushtet të Partive Proruse dhe Proserbe në Podgoricë.
A ma shpjegon dot dikush se si është e mundur që “nacionalizmi shqiptar” gjithmonë shfaqet në forma të tilla përçarëse kur ne jemi të gatshëm të bëjmë pakte me çdo djall rajonal, mjafton që të fitojmë mbi njëri – tjetrin e secili të shkëlqejë si “Çifligari” i Feudit të vetë, por askush të mos guxojë të veprojë vërtetësisht për bashkimin???
A ma shpjegon dot vallë dikush këtë “kompleksin e Fitores me Ushtrinë e Pashiqit”, që ne e kemi tek çdo lider shqiptar prej Ahmet Zogut e këndej???
Si mundet një Lider nacionalist në Prishtinë të bashkëjetojë me “Kosovarizmin” dhe “Gruevskizmin”?
Si mundet një lider nacionalist në Shqipëri të bashkëjetojë me Erdoganizmin, Orbanizmin, Melonizmin dhe Vuçiçizmin?
Si mundet që Kreshniku i AKZ u bën thirrje shqiptarëve të Greqisë sot që ta presin Kreshnikun e Rilindjes me flamuj kuqezi në Athinë, kur edhe bufi e kupton se çdo manifestim kuqezi në Kryeqytetin e Greqisë do të tërbojë “demin” e Agimit të Artë, e për rrjedhojë do t’i bëhet shërbim fantastik elektoral Qirjakos së NeaDemokracia???
Mos harroni, se babai i Qirjakos që sot ka bust në Dropull, falë Edi Ramës ka qenë “antishqiptar” i kulluar.
Mos harroni se motra e Qirjakos, Dora Bakojanis po udhëheq çuditërisht “lojën pro anëtarësimit” të Kosovës në KiE, ndërkohë që Albin Kurti i tha jo.
A po na rrethojnë “fqinjët” apo kësaj radhe jemi “vetërrethuar”?
Arian Galdini
Continue Reading

Shkrime

Shkopi dhe karota, emisari Escobar i kursyer në vendime

Pas lajmit se Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po largohet për një detyrë tjetër, shumë u habitën nga lajmi se Gabriel Escobar , i cili, ashtu si Lajçak, nuk do të shihet më në Beograd dhe Prishtinë në rolin e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, pasi sipas DASH, po shkon në një tjetër mision.

Deri më tani nuk dihet nëse dhe kush së bashku me pasardhësin e Lajçakut, Borut Pahor, në periudhën e ardhshme do të tentojnë që në emër të Amerikës të normalizojnë marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, por gjithsesi rezultatet e Escobar-it mund të analizohen.

Milica Andriç Rakiç, drejtore e programit të Iniciativës së Re Sociale nga Mitrovica Veriore, kujton se në fushatën parazgjedhore, administrata e Biden premtoi se do të mbështeste rolin kryesor të BE-së si ndërmjetëse në dialog, dhe ata vazhdimisht i qëndruan asaj.

“Fokusi më i madh i ‘gjeneralit’ amerikan në dialog ishte pozita e komunitetit serb në Kosovë përmes formimit të asociacionit, por nuk pati rezultate të prekshme, gjë që zyrtarët e Departamentit të Shtetit e pranuan hapur. SHBA-të kanë humbur një partner në Kosovë me qeverinë e Albin Kurtit dhe kjo ndikon ndjeshëm në aftësinë për të zbatuar vizionin e tyre për një Kosovë evropiane. Escobar ka qenë prej kohësh fytyra e strategjisë dhe kontributit të SHBA-së në dialog, por, ashtu si ndërmjetësi kryesor Lajçak, ishte i kufizuar në marrjen e vendimeve, si për karotat, ashtu edhe për shkopinjtë” – e përshkruajti ajo për median serbe ‘Danas’.

Sipas saj, si rezultat, dialogu në vend që të ishte një mjet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shndërrua në një aparat zjarrfikës dhe tani dalëngadalë po bëhet burim i zjarreve dhe krizave të reja.

“Në mënyrë që roli i SHBA-së, pra i dërguari i saj, të ishte më efektiv, duhet të kishte vullnet që SHBA-të të përfshiheshin më shumë në dialog, në vend që të uleshin në dhomën tjetër teksa negociatat vazhdonin, por SHBA-të, nga respekti për partnerët e saj evropianë dhe BE-në, nuk e bënë këtë, të paktën administrata e Biden. Kjo është arsyeja pse emërimi i mundshëm i pasardhësit të Escobar do të varet ndoshta nga vlerësimi i Departamentit të Shtetit nëse në hierarkinë ekzistuese dhe kompetencat e të dërguarit ai ose ajo mund të kontribuojë në dialog më shumë se disa nga pozicionet e përhershme në Byronë për Evropën dhe Euroazinë” – vlerësoi Andriç Rakiç.

Dhe studiuesi i Rrugës së Tretë të Re, Dragoslav Rašeta, theksoi se për momentin nuk ka as informacione të besueshme dhe as thashetheme se kush mund të jetë i dërguari i ri special për Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë për shkak se administrata Biden, për shkak të balancës së pushtetit ndërmjet Demokratëve dhe republikanëve në Senat dhe në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, kanë pasur shumë probleme me vendosjen e diplomatëve gjatë tre viteve të mëparshme.

Ai i tha Danasit se ndoshta do të duhet pak kohë derisa të gjendet një kandidat që do t’i përshtatet të dyja palëve.

Sipas mendimit të tij, që nga emërimi i Escobarit, është bërë përparim i dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse nuk ka pasur përparim në muajt e fundit. Kjo është arsyeja pse ai beson se performanca e Escobar shihet me sy të mirë në Uashington, edhe pse ai nuk arriti t’i shtyjë të dyja palët në vijën e finishit.

Milija Biševac, një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore Serbe në Kosovë, theksoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është në nivelin më të ulët. Sipas tij, tensioni në marrëdhënie ka nisur dy vite më parë, menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe ardhjes në pushtet të Albin Kurtit në Prishtinë.

“Edhe pse në opinion ka teori të ndryshme që kanë të bëjnë me shkarkimin e tij dhe madje disa skandale që kanë të bëjnë me korrupsionin, fatkeqësisht gjatë përfshirjes së tij në dialog nuk kemi parë shumë rezultate sepse politika e ushtruesit të detyrës së kryeministrit në Prishtinë është ekstreme dhe e mbyllur ndaj ndikimeve të jashtme, madje edhe ndaj SHBA-së. Sigurisht, zgjedhja e një të dërguari të ri mund të ndryshojë shumë gjëra në vetë dialogun, por edhe në marrëdhëniet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat janë mjaft të acaruara” – deklaroi Bishevac.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Një opozitë që kërkon ndihmë nga Edi Rama për të mundur Erion Veliaj

Nga Mero Baze

Ka një lutje publike të opozitës për Edi Ramën, që së paku tu jap një mundësi të ndjehen të fituar ndaj Erion Veliaj, meqë qeverinë se mundin dot.

Për këtë I janë turrur fjalimit të Edi Ramës rreth reformave që duhen ndërmarrë kundër korrupsionit në shtetin shqiptar, dhe po përpiqen ta përkthejnë si fjalim kundër Erion Veliaj. Disa nxjerrin pikat e fjalimit që as socialistët si kanë mbajtur aq mirë shënim dhe I identifikojnë me Veliaj.

Të tjerë shpikin dhe gjëra që Rama si ka thënë dhe prap I identifikojnë me Veliaj. Madje për ta bërë më të plot konspiracionin, e ilustrojnë dhe me dokumente të dal nga ministritë, që dhe ato të quhen që I ka nxjerr Edi Rama kundër Erionit. Ata kanë në dorë dhe thuajse gjithë numrat e protokolleve të ministrive që janë marrë me inceneratorët dhe shpjegojnë dhe çfarë kanë pasur në mendje ministra të ndryshëm kundër Erionit.

Pra 24 orë pas thirrjes së Edi Ramës, për opozitën që tu bashkohet reformave kundër korrupsionit në administratë shtetërore, I vetmi përkthim që opozitarët duan ti bëjnë thirrjes është që ai tu jap kokën e Erion Veliaj.

Mënyra se si po e përkthen opozita, nuk tregon atë që ka në mendje Edi Rama, por atë që ka nevojë opozita. Dhe opozita duket se ka nevojë urgjente që Edi Rama ti jap një dhuratë meqë nuk po ja dalin dot. Madje jo që nuk po ja dalin, por sheshi para bashkisë, ka përditë me më pak se 50 vet dhe e vetmja gjë që rritet është dendësia e njerëzve të inkriminuar të cilët nuk kanë alternativë tjetër.

Në këtë pikë dëshpërimi I opozitarëve është dhe më I thellë, pasi edhe pse hedhin Molotov dhe thërrasin gjithë banditët para bashkisë, përsëri ndjehen të pafuqishëm dhe kërkojnë ta vrasin Erion Veliaj me dorë të Edi Ramës.

Nëse lexon mediat kryesore të opozitës prej dje deri më sot, duket që Edi Rama është ylli polar I tyre, idhulli I tyre që mund ti shpëtoj nga humnera ku kanë rënë duke ua hequr Erion Veliaj. Nuk kanë asnjë shpresë tjetër. Me sa duket as nga SPAK nuk shpresojnë më përveçse nga Edi Rama.

Në fakt fjalimi I Edi Ramës nuk ka ndonjë ofertë personale dhe as ndonjë identikit të korruptuari , por ngre nevojën alarmante që administrata e shtetit shqiptar të krijoj kulturën e përballjes me ligjin dhe të jetë e pavarur nga lidershipi politik.

Nuk di nëse i gënjen apo tallet dikush nga brenda pushtetit të Edi Ramës, apo e kanë instiktive këtë reagim, por nëse ka një rrugë që e bën me imunitet dhe më të fort politik Erion Veliaj, përfshi dhe nga Edi Rama , është kjo rruga që ka zgjedhur opozita që ti kërkoj si nder Edi Ramës kokën e Erion Veliaj për llogari të tyre.

Mirë është të gjejnë diçka më kreative që të paktën të duket sikur arrijnë dhe vet ndonjë gjë se nuk mund të shtynë gjithë jetën në opozitë duke kërkuar leje nga Edi Rama. Edhe për të vrarë Erion Veliaj.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING