Aktualitet
Burg për ish-drejtoreshën e Postës Shqiptare/ Avokati i saj: Vendim absurd
Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre zyrtaret e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj.
Gjykata vendosi “arrest në burg” për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa caktoi masën “arrest në shtëpi” për ish-shefen e financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtaren Paola Dana.
Pas mbylljes së seancës, për mediat ka folur avokati Ilia Ilia, një nga dy avokatët mbrojtës të Elisabeta Matajt. Ajo e konsideron masën “arrest me burg” si një vendim absurd.
“Rezultati ishte një vendim absurd i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, për arrest me burg për ish-drejtuesen Elisabeta Mataj. E them absurd, pasi duke analizuar provat e sjella nga organi i akuzës, që nga fillimi ndalimi është bërë tërësisht i paligjshëm, me një arsyetim ligjor që meqë e mbrojtura prej meje ka dalë më datë 10 nga territori i Shqipërisë dhe nuk ka hyrje në sistemin e pikave kufitare shqiptare, ndërkohë që është paraqitur pas thirrjes, thuhet se ekziston dyshimi që mund të largohet jashtë vendit”, u shpreh avokati Ilia Ilia.