Kosova
Çanak: Ka 40 vite Kosova përdoret për të hutuar njerëzit, Serbia ende s’e di se cilën rrugë do zgjedhë për të ardhmen
Politikani nga Vojvodina Nenad Çanak deklaroi se në Serbi mungon një alternativë e qartë politike dhe se lëvizja studentore vazhdon të jetë pa drejtim të unifikuar. Ai solli në vëmendje edhe mundësinë që figura publike me ndikim, si tenisti Novak Djokovic, të mund të shfaqen si simbol i ndryshimit politik në vend, megjithëse sipas tij kjo nuk garanton orientimin që do të marrë Serbia në të ardhmen.
Ai u ndal gjithashtu te përdorimi i çështjes së Kosovës në diskursin politik serb, duke e konsideruar atë si një instrument për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e brendshme.
“Në Hungari u zgjodh qartë shtegu europian, ndërsa në Serbi ende nuk e dimë se cilën rrugë do të zgjedhim për të ardhmen. Kosova është mënyra më e mirë, ashtu siç ka qenë për 40 vitet e fundit, për të hutuar njerëzit dhe për të devijuar vëmendjen e tyre, duke thënë se duhet të mbrojmë qytetarët serbë në Kosovë, ndërkohë që harrohet fakti se në Kroaci apo në vende të tjera pothuajse nuk ka më serbë.
Kjo politikë i shërben kujtdo që nuk është i interesuar për sundimin e ligjit në Beograd. Çështja e Kosovës është një kartë shumë e fortë për t’u përdorur për çdo gjë që ndodh në Serbi. Kushdo që flet për njohjen e pavarësisë së Kosovës automatikisht mbetet jashtë mediave dhe jashtë vëmendjes së publikut. Ky është fati i të gjitha opsioneve civile në Serbi. Vetëm retorika nacionaliste lejohet të ekzistojë” – potencoi politikani Nenad Canak