Rajon
Çështja Beleri/ Gazetarja e fundit: Mundësia e fundit për Shqipërinë…
Gazetarja Ira Londo përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë nga Athina në studion e News24 është shprehur se pala greke është e vendosur të ashpërsojë qëndrimin ndaj Shqipërisë lidhur me çështjen e Fredi Belerit.
Sipas saj Greqia kërkon të mos refuzohet kërkesa e Fredi Belerit për betimin për sa kohë që ai nuk është dënuar akoma nga drejtësia.
Ajo u shpreh se kjo është mundësia e fundit që i ofron Greqia Shqipërisë për të mos vendosur veton kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Me sa duket pala greke është e vendosur të ashpërsojë qëndrimin ndaj Shqipërisë. Qëndrimi i Greqisë është unanim dhe i përgjithshëm nga të gjitha forcat politike në Greqi.
Duhet theksuar se në Kushtetutën e Greqisë përfshihet njohja e minoriteteve greke në arenën ndërkombëtare, mes tyre edhe minoriteti në Shqipëri.
Pala greke këmbëngul se rasti Beleri ka të bëjë me shkeljen e shtetit të së drejtës. Fredi Beleri është pjesë e minoritetit dhe Greqia mbështet çdo politikan nga minoriteti.
Bëhet fjalë për një kryebashkiak të zgjedhur që nuk është dënuar dhe po cenohet prezumimi i pafajësisë. Greqia kërkon të mos refuzohet kërkesa e tij për betimin për sa kohë që ai nuk është dënuar akoma.
Kjo është mundësia e fundit që i ofron Greqia Shqipërisë për të mos vendosur veton. Pala greke ka theksuar se vërtet lejuan dërgimin e letrës së çeljes së kapitullit të parë, por nga Shqipëria nuk pati asnjë hap drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje ndaj pritet se do të ketë 37 veto ndaj Tiranës zyrtare. Mitsotakis është i vendosur të ushtrojë vetot deri në fund.
Para kësaj ngjarjeje marrëdhëniet mes vendeve ishin shumë pozitive, aq sa në mes të Athinës ishte edhe një ekspozitë e kryeministrit Edi Rama”, u shpreh ajo.