Connect with us

Aktualitet

Çështja e detit t’i drejtohemi Drejtësisë Ndërkombëtare, më afër se asnjëherë për heqjes së Ligjit të Luftës.

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!
Më lejoni të shpreh edhe publikisht, kënaqësinë që i shpreha Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë dhe besoj mund ta them edhe një miku të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Zotit Dendias, për praninë e tij këtu, sot.
Me këtë rast nuk mund ta lë parisjellë në kujtesën e të gjithëve që ministri ka qenë me ne dhe pranë nesh edhe në një moment jashtëzakonisht dramatik, kur tërmeti i 26 nëntorit të shkuar goditi mijëra e mijëra familje e në pak sekonda na vuri përballë një situate tejet të vështirë. Një situatë ku kontributi i drejtpërdrejtë, jo vetëm me praninë simbolike të ministrit këtu, por edhe me praninë e trupave të kërkim-shpëtimit nga Greqia mes një rrjeti të gjerë trupash të ardhura nga vende mike na mundësoi daljen nga ajo situatë, duke kursyer jo pak jetë njerëzish.
Sinqerisht, asnjëherë nuk do ta harroj momentin e nxjerrjes nga rrënojat të një djali të ri nga trupat e kërkim-shpëtimit të ardhura nga Greqia, në kushte absolutisht të rrezikshme për jetën e tyre. Ata djem me uniformën e një vendi fqinj, që vinin për herë të parë këtu, sakrifikuan jo pak dhe ishin gati të sakrifikonin dhe jetën e tyre për të shpëtuar pas orësh e orësh të tëra, duke përparuar me milimetra nën një pallat të tërë që ishte rrëzuar, edhe vetë jetën e tyre.
Kështu që me atë kujtim të fortë dhe të paharrueshëm, sot  mikpresim këtu, mikun tonë, për të folur për rrugën e përbashkët të së ardhmes, si dy fqinj që nuk e kemi zgjedhur njëri – tjetrin, por jemi bashkë nën të njëjtin diell prej mijëra vitesh dhe kemi detyrimin ndaj gjeneratave të tjera që të bëjmë më të mirën e mbi të gjitha, në nivelin politik kemi detyrimin që të bëjmë atë që njerëzit e zakonshëm, shqiptarët dhe grekët bëjnë në nivelin e marrëdhënieve njerëzore. Marrëdhënie që sot janë më të mira se asnjë herë tjetër për 1001 arsye që dihen e që ne thjesht dhe vetëm duhet t’i ngremë në të njëjtin nivel pritshmërie e të njëjtin nivel ambiciesh, shpresash e ëndrrash të njerëzve tanë.
Me këtë frymë, ne kemi hapur një kapitull shumë pozitiv me qeverinë e Republikës së Greqisë. Unë dua që ta risjell këtu, në vëmendje dhe faktin se përveç ministrit që ka qenë këtu personalisht në atë moment të vështirë, Kryeministri Mitsotakis ka qenë ndër të parët që është interesuar pas tragjedisë dhe që ka qenë në vijimësi i dëshiruar për t’u informuar për ecurinë e gjërave, qoftë për kërkim shpëtimin, qoftë për rindërtimin. E patjetër edhe i gatshëm, së bashku me qeverinë, edhe në atë moment vështirësie të posaçme që u krijua në kufi si rezultat i masave të marra për përballimin e COVID-it dhe të pasojave të këtij armiku të padukshëm në rrjedhën e jetës sonë të përditshme.
Për ne, Greqia qysh në krye të herës ka qenë një partner strategjik dhe mbetet një partner strategjik. Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar dhe patjetër që partneriteti ynë strategjik me Greqinë është një partneritet për të ardhmen, duke mos harruar asnjëherë gjithçka që na lidh nga e shkuara, e afërt dhe e largët.
Greqia ka qenë një ndër vendet që jo vetëm morën pjesë, por dhe u përfshinë në dhënien e kontributeve të drejtpërdrejta, përveç kontributeve nën ombrellën e Bashkimit Europian, gjatë Konferencës së Donatorëve.
Faktikisht, ne sot përsëri kemi konfirmuar atë që kemi dakordësuar më parë, që jemi dakord të punojmë bashkërisht për t’i adresuar e për t’i zgjidhur me frymë konstruktive, me vullnet të mirë, me angazhim të përbashkët, të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes dy vendeve tona, që janë çështje në të mirën e të dy vendeve tona.
Nuk është një çështje e Greqisë, çështja e të drejtave të minoriteti grek në Shqipëri, është një çështje e jona, gjithashtu. Nëse ne duam për minoritetin grek e për të gjitha minoritetet në Shqipëri standardet më të mira dhe mundësi 100% të barabarta si qytetarë të këtij vendi, këtë nuk e bëjmë sepse e kërkon Greqia, por e bëjmë sepse është në nderin dhe padiskutim është edhe në vizionin tonë për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë.
Por, nga ana tjetër, e njëjta gjë vlen dhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Ne besojmë fort që, siç është në interesin tonë padiskutim që ata të jenë në kushtet më të mira të mundshme e të kenë mundësi të barabarta me fqinjët e tyre në derën përballë grek, ashtu është në interesin dhe në të mirën e Greqisë dhe nuk kemi pasur asnjë moment hezitim të dyanshëm, kur vjen puna për të bërë maksimumin për qytetarët e Shqipërisë me prejardhje greke dhe qytetarët e Greqisë me kombësi shqiptare.
Kemi diskutuar për të çuar më tej patjetër, agjendën në këtë drejtim, qoftë me të gjithë legjislacionin që duhet plotësuar në funksion të ligjit bazë për minoritetet, që ka qenë një hap i rëndësishëm që Shqipëria ka bërë përpara në funksion të atij vizioni që ne kemi për të ardhmen dhe qoftë për të gjithë elementët e tjerë që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve me një gjuhë amtare tjetër, me një histori, me një kulturë dhe me një domosdoshmëri për ta ruajtur e për ta përcjellë brez pas brezi gjuhën e tyre, qoftë gjuhën greke në Shqipëri, qoftë gjuhën shqipe në Greqi. Unë dua ta sjell këtu në vëmendje, sepse në pamje të parë mbase nuk është diçka e madhe, por në jetën e përditshme të njerëzve është diçka e rëndësishme që falë vullnetit të mirë të Kryeministrit Mitsotakis, të qeverisë e të shumicës së re të dalë nga zgjedhjet në Greqi, u bë njohja nga Parlamenti grek e lejeve të drejtimit për të gjithë bashkëkombësit tanë, në janar të këtij viti, u bë pranimi i vulës apostile, aq e rëndësishme për të lehtësuar të gjitha proceset e tyre administrative dhe po kështu edhe dakordësia për marrëveshje që lidhen me njohje të dokumenteve, sikurse ne kemi bërë me Italinë, me Austrinë, me Belgjikën e të tjera.
Diskutimi për pensionet është një diskutim që është i hapur, por e vërteta është që, qoftë me Greqinë, qoftë me Italinë, ku është dhe prania më e madhe e emigrantëve shqiptarë qysh prej viteve ’90-të, nuk është një diskutim i lehtë, jo sepse mungon dëshira, jo sepse mungon angazhimi, por sepse bëhet fjalë për një zgjidhje që në aspektin financiar kërkon realisht një impenjim serioz e për këtë arsye, procesi i diskutimit vazhdon, padiskutim me shprehjen e vullnetit të mirë për ta zgjidhur edhe këtë proces.
E falënderova dhe e falënderoj edhe publikisht ministrin për faktin që, pavarësisht momenteve të caktuara në ecurinë e këtyre marrëdhënieve kur ne kemi pasur edhe tension, e vërteta është që Greqia nuk ka qenë në asnjë moment pengesë për procesin tonë të integrimit në Bashkimin Europian dhe për hir të vërtetës më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi një dakordësi të plotë me Kryeministrin dhe me ministrin lidhur me faktin që çështjet që ne duhet t’i zgjidhim së bashku nuk janë çështje për eksport në Bruksel. Ne nuk kemi nevojë që Brukseli të na vendosë përpara obligimit që ne t’i trajtojmë këto çështje dhe Greqia nuk ka nevojë të përdori Brukselin që të trajtojë këto çështje me ne. Nuk shohim në asnjë nga çështjet një pamundësi zgjidhjeje. Janë të zgjidhshme e patjetër që ne jemi në rrugën për t’i zgjidhur.
E kam shumë të qartë që të gjithë sot i kanë veshët e hapur për të dëgjuar lidhur me pushtimin e ardhshëm që Greqia do t’i bëjë Shqipërisë përmes detit, por nuk do të ketë një pushtim, përkundrazi e më vjen keq që do zhgënjehen patriotët e detit, sot me shumë kënaqësi mund ta them nga ana ime, ministri  patjetër nga ana e tij, që kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “I” në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre, sepse çështja e detit nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë as propagandën e tyre të shpifur antigreke, që është një turp dhe as elektorat patriotik në Shqipëri, apo dhe në Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera. Kjo çështje nuk është një çështje që do të jetë në diskrecionin tonë, apo të palës greke. Do të jetë në diskrecionin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ne jemi plotësisht dakord e në këtë mënyrë do të fokusohemi tek bashkëpunimi ekonomik, do të fokusohemi tek bashkëpunimi rajonal, do të fokusohemi tek njerëzit, të bëjmë më të mirën për qytetarët shqiptarë me kombësi greke që jetojnë në Shqipëri dhe për qytetarët grekë, apo ende jo grekë me kombësi shqiptare që jetojnë në Greqi.
Kjo është ajo çka ne duam të bëjmë dhe për këtë arsye, po ashtu kemi rënë dakord që të fillojmë punën për të organizuar edhe një mbledhje të parë të të dyja qeverive, qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Greqisë, për t’u marrë me çështje që kanë rëndësi për njerëzit e zakonshëm e që kanë rëndësi për fëmijët tanë në Shqipëri dhe në Greqi. Çështjet e patriotizmit nacional folklorik nuk janë çështje të qeverive tona.
Ministër, edhe një herë tjetër shumë faleminderit, me shumë respekt për angazhimin tuaj personal, me shumë respekt për gatishmërinë e Kryeministrit për t’i dhënë një shtytje të re pozitive gjithë kësaj marrëdhënieje e për ta vënë fuqinë e qeverive tona në funksion të popujve tanë dhe kështu për të ndërtuar së bashku një të ardhme në paqe e në prosperitet për të gjithë.
Në mbyllje dëshiroj të them edhe diçka, që nuk është ende një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, por që është në një diskutim shumë pozitiv dhe që së shpejti, unë kam shumë besim që do të përfundojë në mënyrë pozitive, që është heqja e ligjit të luftës. Dhe pastaj, pasi humbën detin, nacional folklorikët patriotë do humbin dhe tokën e pastaj të gjejnë në ajër ndonjë çështje e të krijojnë një subjekt për se si Greqia po rrit emisionet e gazit në atmosferën shqiptare, se në tokë dhe në det nuk do kenë më çështje për t’u marrë.
* Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias: Shkëlqesia Juaj, Zoti Kryeministër, ju falënderoj ngrohtësisht nga zemra për mikpritjen tuaj!
Është kënaqësi për mua që me urdhër të Kryeministrit tim, Zotit Kyriakos Mitsotakis, unë rikthehem në Shqipëri pas një viti.
Herën e mëparshme kisha ardhur po këtu, me urdhër të tij, pas tërmetit të fuqishëm që kishte ndodhur në Durrës. Kam ardhur pak orë më pas, për të parë dhe për të kërkuar se si mund të qëndrojmë pranë jush, pranë popullit mik shqiptar. Do të dëshiroja t’u falënderoja nga zemra, Zoti Kryeministër, për të gjitha fjalët e mira që ju thatë në përpjekjet tona, sepse është një përpjekje miqsh, është një përpjekje, e cila rrezaton ndjesitë reale të popullit grek dhe të komunitetit grek përkundrejt popullit mik shqiptar.
Fatmirësisht, sot, vizita ime ndodh në kushte shumë më të mira. Para se të zgjerohem në sa diskutuam edhe më parë, doja të fokusohesha në përgëzimet e mia për ju, për kryesinë e OSBE-së  që ju kishit këtë vit. Shqipëria madje tregoi dhe evidentoi se brenda kushteve të Coronavirusit mund të ushtrojë një kryesi esenciale. Është shumë e rëndësishme kjo për qeverinë tuaj dhe për të gjithë zonën tonë dhe rajonin tonë.
Vijmë tani tek marrëdhëniet tona bilaterale.
Na bashkojnë shumë gjëra dhe prezenca ime sot, këtu synon në nënvizimin e një agjende dinamike dhe pozitive të marrëdhënieve tona.
Ne kemi një vullnet shumë të fuqishëm që t’i çojmë këto marrëdhënie akoma më tutje dhe më lart dhe të zgjidhim në një klimë besimi reciprok dhe respekti reciprok të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pezull.
Veçanërisht një urë e lidhjeve tona është minoriteti grek që jeton në Shqipëri. Një urë gjithashtu janë edhe mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Më lejoni Zoti Kryeministër që të theksoj kontributin esencial, qoftë të shtetasve grekë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe të qytetarëve shqiptarë në zhvillimin ekonomik të Greqisë.
Sikundërse jeni në dijeni, Greqi dhe Shqipëri, ne do të përballojmë sfida.
Nga ana jonë, ne jemi gjithnjë të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje me besim, me frymën e bashkëpunimit, sikundër i shkon për shtat vendeve europiane, sikundërse i shkon për shtat Shqipërisë dhe Greqisë, në dobi të vendeve tona. Ne mendojmë se ky bashkëpunim mund të funksionojë duke përforcuar integritetin dhe integrimin e Shqipërisë në BE, duke patur sigurisht marrëdhënie të mira të fqinjësisë dhe duke përforcuar stabilitetin në një zonë të ndjeshme siç është zona jonë.
Integrimi dhe hyrja e Shqipërisë në BE është një objektiv i yni i përbashkët dhe ne jemi të gatshëm që të ecim me Shqipërinë, duke përfshirë këtu të gjithë dijen teknike që mund t’u ofrojmë kur ju dhe qeveria juaj, gjykoni se do të ishte e nevojshme ta bëni këtë gjë.
Në këtë kuadër, dëshiroj të theksoj se Greqia përmes agjendës së Selanikut, e cila është inauguruar përpara dy dhjetëvjeçaresh, ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe diakronike si objektiv strategjik, integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, edhe me Kryeministrin, edhe me ministrin në detyrë Cakaj më parë, ne kishim një tematikë shumë të gjerë diskutimesh.
Ne diskutuam për çështjen e përcaktimit të hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vendet.
Madje kam dëgjuar me interes të lartë dhe dakordësinë e Zotit Rama se zgjidhja e kësaj çështje do të ketë si bazë marrëveshjen e OKB-së ku të dyja vendet kemi nënshkruar. Jam shumë i lumtur për këtë gjë, për të përsëritur atë që Kryeministri sapo tha, se duke analizuar dhe ekzaminuar këtë çështje, ne kemi rënë dakord që të kalojmë si Shqipëri dhe si Greqi së bashku në kalimin e kësaj çështje në të drejtën ndërkombëtare, në Gjykatën e Hagës.
Kjo marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë mbështetet pikërisht në një qëndrim të të dyja vendeve në legalitetin e përbashkët për zgjidhjen e çdo konvergjence dhe divergjence që mund të ketë. Po ashtu u referuam edhe në marrëveshjen që Shqipëria dhe Greqia ka në ’96-ën dhe ramë dakord se marrëveshja e ’96-ës ka nevojë për një thellim dhe dinamizëm që të ecim së bashku drejt një marrëveshje të re përsa i përket partneritetit strategjik të dy vendeve dhe të bëjmë një mbledhje qeveritare mes dy qeverive dhe të krijojmë një mekanizëm mes dy vendeve mike.
Ne kemi referuar çështjen e ligjit të luftës.
Zoti Kryeministër, kjo gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurt që edhe këtë gjë do ta zgjidhim së bashku. Është gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjë këtu, nga Tirana, në opinionin publik shqiptar me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis.
Diskutuam gjithashtu edhe për urën, një nga urat që na lidh, i referohen anëtarëve të minoritetit, por edhe frymës që duhet të dalë dhe të përshkojë idenë e fqinjësisë së mirë.
Nuk duhet të humbasim kohë tjetër.
Nuk duhet të humbasim kohë dhe unë mendoj se kemi arritur në marrëdhëniet tona shumë gjëra. Për ne, mbetet tani që të shkojmë akoma më përpara.
Pashë me gëzim perspektivën, madje progresin që Shqipëria ka bërë në sektorët e tematikave që lidhen me minoritetin grek. Besoj dhe mendoj se të gjitha këto japin mundësi që të kalojnë në agjendën tonë pozitive.
Më lejoni të përmbyll fjalën time, duke nënvizuar se përkundrejt përpjekjeve që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e perspektivës së tyre europiane, një tjetër vend i rajonit tonë, që është akoma vend kandidat për BE, nuk po lëviz në këtë drejtim, madje lëviz në drejtim të kundërt.
I referohem këtu fqinjit tonë, Turqisë. Ajo vazhdon të shkelë çdo ditë, kriteret themeltare të integrimit në BE, qoftë politike, qoftë ekonomike.
Jam detyruar në këtë kuadër, të dërgoj madje, një shkresë Komisionerit të Zgjerimit, zotit Varhelyi, duke theksuar se Turqia po shkel unionin doganor dhe duhet të shqyrtohet menjëherë marrja e masave për këtë gjë.
Gjithashtu e kam vendosur këtë çështje, me keqardhje madje, që të ekzaminojë Komisioni të gjitha shkeljet, në të gjitha dimensionin e tyre, madje deri në tërheqjen e unionit doganor, si një ide e qartë kjo, për shkeljet që krijon shteti turk dhe sjellja e Turqisë.
Kam theksuar gjithashtu edhe tek homologët e mi europianë, ministrat e Jashtëm, veprimet e fundit që janë tepër shqetësuese në Mesdheun Lindor dhe theksova nevojën që të ndalojë eksporti i materialeve ushtarake përkundrejt Turqisë, sepse këto materiale ushtarake përdoren për të kryer veprime që destabilizojnë zonën tonë.
Zoti Kryeministër,
po e përmbyll fjalën time me diçka që edhe ju sapo e përmendet.
Ajo që ne duhet të ndërtojmë të gjithë së bashku, ai që është dhe fokusi ynë i përbashkët dhe objektivi i përbashkët, është që të kemi një të ardhme paqësore me begati për të gjithë. Pikërisht kësaj përpjekjeje i shërben prezenca ime sot, në Tiranë dhe jam i lumtur që jam sot, këtu, bashkë me ju.
Ju falënderoj ngrohtësisht për fjalët tuaja të ngrohta për Greqinë dhe nga ana e Kryeministrit Mitsotakis dhe nga ana ime për miqësinë greko-shqiptare, ju falënderoj shumë
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Projektligji i ri për rivlerësimin e pronave, a do të bien çmimet e apartamenteve në Tiranë?

Një rivlerësim tjetër i pronave, por me një normë tatimi 5-fish më të vogël ka ngritur aludimet e një lëvizje të mundshme të çmimeve për tregun e pasurive të paluajtshme. Ekspertët e tregut imobiliarë tregojnë se ky proces mund të prekë vetëm një kategori apartamentesh.

“Ne mendojmë që me këtë amnisti çmimet e apartamenteve me hipotekë po pësojnë rënie, sepse ai tatim që do paguanin në periudhën e mëparshme dhe ia faturonin blerësit dhe mendojmë se me këtë rivlerësim çmimi do bjerë”, tha për A2, Erjon Alimema, ekspert i pasurive të paluajtshme.

 “Kjo rënie nga 3% e rivlerësimit mund të  prekin vetëm një kategori. 2000, 2010, 2015 kanë mundësinë e rivlerësimit të pronës që e kanë blerë vite më para. Kurse sa i përket pronave të reja duke qenë se këtë vit janë rritur çmimet e referencës nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh”, u shpreh Fjordi Subashi, ekspert imobiliar.

Lefter Sila ekspert i këtij tregu i cili ka qenë pjesë e 4 periudha të mëparshme të rivlerësimit në vend, tregon se kur, sipas tij, do të ndodh rënia e ndjeshme e çmimeve që të gjithë presin.

“Rënia e çmimeve është sipas parimit të ekonomisë së tregut nëse oferta më e madhe se kërkesa dhe e dyta nëse do ketë raste krizash qoftë të brendshme dhe të jashtme. Nuk do të ketë rënie apo ngritje çmimesh. Ajo që mund të themi është se përfituesit janë vetëm pronarët”, shtoi Sila.

Për disa prej ekspertëve rënia pritet e lehtë deri në përafrimin e vlerës së tregut, pasi një pjesë edhe janë mbivlerësuar sipas tyre.

“Nëse flasim për një amnisti me 12% ulje nuk pretendojmë që çmimet do bien kaq. Gjithmonë arsye për të rritur çmimin ka disa për ta ulur shumë vështirë. Një çmim 5-7% që kanë pronat me certifikatë pronësie do të reduktohen”, deklaroi Erjon Alimema.

Mesatarisht një rënie deri në 7%  për një apartament 100 mijë euro do të përkthehej në 7 mijë euro më pak për ata qytetarë që do të blejnë një pronë në vijim. Aktualisht ndalur sipas zonave në Tiranë çmimet e referencës së apartamenteve variojnë duke nisur nga 2200 euro në zonën e ish-Bllokut, Librit Universitar, vijon me  rreth 1100 euro në zonën e Fabrikës së Miellit dhe 900 euro pranë zonës së Porcelanit.

Continue Reading

Aktualitet

Vetëvrasja e nënës me tre fëmijët në lumë/ Karamuço hedh dyshime të forta: Bashkëshorti…

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karmauço, ngre një pikëpyetje për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku nëna me tre fëmijët e saj u mbytën në lumin Buna, pranë Drragjatit

Në një intervistë Karamuço , u shpreh se është e paqartë si Alma Arrazi është hedhur nga ura bashkë me fëmijët.

“Është një pikëpyetje shumë e madhe në hyrje te urës deri te vendi që fëmija edhe nëna janë hedhur, ka një pikëpyetje shumë të madhe se çfarë ka ndodhur. Dyshimi më i madh i policisë është që nëna ka hedhur fëmijët, pastaj veten, dy fëmijët edhe pastaj është hedhur së bashkë me djalin”

Sipas tij, deri tani nuk asnjë indicie që të çojënë një pistë të dytë, “që mund t’i ketë shtyrë njeri tjetër ose të ketë ndodhur diçka nën efektet e qetësuesve”.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendja e medias në përkeqësim të vazhdueshëm në Shqipëri, por autoritetet premtojnë përmirësim të sigurisë

Në Tiranë, veprimtarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e shtypit pohuan sot se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërsa siguria e gazetarëve po cënohet shpesh nga kërcënime dhe presione për shkak të punës.

Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka raportuar 10 raste ku është cënuar siguria e gazetarëve, punonjësve të medias dhe mediave në 4 muajt e parë të këtij viti, dhe 24 raste gjatë vitit të kaluar, ndërsa paditë gjyqësore ndaj gazetarëve në vitin 2023 u dyfishuan.

Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.

“Rastet që ne kemi monitoruar ndër vite tregojnë që pavarësisht se sulmet fizike, të drejtpërdrejta, nuk janë sistemike në Shqipëri, problem qëndron tek intimidimet, kërcënimet dhe tek presionet jo të drejtpërdrejta, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe intersave të fshehur ndërmjet politikës, pronarit të medias, shpesh herë edhe krimit të organizuar. Kjo krijon një situatë jo të sigurtë, dhe pamundëson gazetarinë e pavarur, cilësore dhe në interes të publikut”, thotë zonja Bino.

Një tryezë e gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, drejtësisë dhe diplomatë perëndimorë u zhvillua sot për të diskutuar mbi pasigurinë e gazetarëve në Shqipëri, ku siç u theksua aty, presionet i shtyjnë ata drejt vet-censurës dhe shtytjes për të mbrojtur interesat e pronarit më shumë se sa kodin e gazetarisë.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thotë për Zërin e Amerikës se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet në vazhdimësi, siç u theksua edhe në Raportin vjetor të organizatës Reporterë pa Kufij.

Ajo thotë se tani është koha që zyrtarët dhe politikanët në pushtet të zbatojnë ligjet, standartet që ekzistojnë në direktivat europiane për sigurinë dhe lirinë e shtypit, duke nisur me një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, krahas një dialogu më të madh me organizatat e shoqërisë civile.

“Siguria e gazetarëve në Shqipëri është shqetësim serioz. Gazetarët shahen, fyhen dhe nuk bëhet gati asgjë për t’i mbrojtur ata. Shpresoj shumë që së pari të ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve. Lehtësia e politikanëve në Shqipëri, që të shajnë dhe të ofendojnë secilin që i kritikojnë ata, është e patolerueshme dhe është e rrezikshme. Dhe e dyta duhet të ndalet ajo që njihet si metodologjia e kasetave. Të ndalen materialet e gatshme nga qeveria, partitë dhe bashkitë, gazetarët të lejohen të ndjekin veprimtari zyrtare, të bëhen konferenca shtypi normale, në mënyrë që gazetarët të bëjnë lirisht pyetjet që duan, të citojnë lirisht pushtetin, dhe të marrin të dhënat që interesohen”, tha zonja Kusari.

Në këtë tyrezë me median, ligjvënës dhe përfaqësues të ministrive që mbulojnë çështje të sigurisë, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky institucion po e rrit transparencën e vet përballë medias, po i nxit prokurorët të nisin hetime proaktive kur mësojnë për dhunë e kërcënime ndaj mediave, po shton punën dhe angazhimin për sigurinë e gazetarëve, duke i ftuar ata që të denoncojnë rastet e tyre me fakte sa më shpejt në mënyrë që të nisin hetimet, dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të forcuar mbrojtjen e tyre.

“Përgjatë vitit 2023 ne kemi patur vetëm 6 raste të denoncuara për dhunë ndaj gazetarëve. Duket se kemi një mospërputhje mes asaj që raportohet nga gazetarët dhe asaj për të cilën në fakt bëhet kallzim në organet ligjzbatuese. Këto kanë të bëjnë me vepra penale si goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, si dhe një rast për heqje të paligjshme të lirisë. Dy nga këto raste janë çuar për gjykim, një ngjarje në Fier dhe një në Lezhë. Edhe dy çështje të tjera këtë vit janë afër fazës të dërgimit për gjykim. Kjo tregon që ka një angazhim dhe çështjet merren seriozisht, përpiqemi të kryejmë hetime të shpejta. Duhet vlerësuar edhe konteksti në të cilin po diskutojmë sot. Jemi në një situatë aspak normale për prokurorinë, ku kemi shumë çështje që janë me përparësi dhe pa diskutim çështja e mbrojtjes së gazetarëve është ndër çështjet që duhet të jetë me përparësi”, tha zoti Çela.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Kristina Voko, shprehu shqetësim për faktin që tani po sulmohen vazhdimisht sidomos gazetarët që po raportojnë mbi proceset e e rëndësishme hetimore të hapura nga SPAK-u, ndaj gazetarëve që raportojnë mbi zhvillimet në parlament, si dhe ngritjen e komisionit kundër disinformimit.

Ajo theksoi që ndonëse në fillim kjo ide u mirëprit, si një ndihmë përballë sfidave të gazetarisë, por kjo ende nuk po shihet.

“Po shohim se ky komision në fillesat e tij po humbet fokusin nga ato rekomandime të vazhdueshme, që ne kemi nga raporte ndërkombëtare, siç është përafrimi me legjislacionin dhe direktivat europiane, detyrimi i vazhdueshëm që kemi për të adoptuar GDPR-në, detyrimi që do të kemi në vitet në vijim për të përafruar legjislacionin tonë në lidhje me Digital Service Act. Ai duhet të ketë në fokus edhe rekomandimet e vazhdueshme që vijnë për shembull edhe nga ODIHR-i, lidhur me rregullimin e propagandës përmes kasetave të gatshme, e ndikimit të partive politike në proceset editoriale të medias. Ftoj deputetët që ta nisin fillimisht punën nga ndotësit kryesorë të hapësirës së informimit, që kryesisht vijnë nga partitë politike, nga forca të huaja dhe që lidhen me procese demokratike siç janë proceset zgjedhore, dhe më pas të merren me rregullimin e platformave, e më pas të zgjerojmë diskutimin lidhur me rregullimin ose jo, se cilat janë metodat më të mira të vetërregullimit lidhur me mediat online”, tha zonja Voko.

Në tryezën mes gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve dhe diplomatëve u theksua po ashtu se një shqetësim me rëndësi për gazetarët mbeten edhe kushtet e punës dhe siguria ekonomike e tyre. Në vitin 2022 u raportuan vetëm 6 raste në Inspektoriatin e Punës, kundrejt 26 rasteve që u raportuan në 2023, pa harruar që shumë raste e sulme nuk raportohen, por ato sjellin kufizimin e vazhdueshëm të hapësirës për gazetari në shërbim të interesit të publikut.

Marrë nga VOA

Continue Reading

Aktualitet

Dhunohet 17-vjeçari në Spartë/ U rrëmbye dhe u torturua nga të afërmit e të dashurës vetëm se ishte shqiptar

Një 17-vjeçar Shqiptar ka përjetuar momente të paimagjinueshme kur është rrëmbyer nga të afërmit e të dashurës dhe më pas është rrahur për tre orë në Spartë. Sipas asaj që tha babai i të miturës për STAR, djali i tij ka pasur një flirt me një shoqe klase, por prindërit e saj nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare. 17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë kapur para nënës dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.

Gjithashtu në një moment të rrugës nga Areopolis ata ndaluan, e zbritën të riun nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës. Aty filloi një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Druri që ra ishte i pamëshirshëm, ku nëna e vajzës ia shkul flokët dhe i preu fytyrën sipas pretendimeve. Në fakt, nga goditjet e tij filloi t’i dilte gjak nga veshi, ndërsa, sipas avokatit, ai ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe ende nuk dihet nëse do të shërohet.

Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, ndërsa kapësit e lanë në një pikë ku lajmëruan nënën e tij për ta gjetur. Viktima është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike. Sipas njoftimit, babai i vajzës, i cili disa vite më parë kishte vrarë nënën e tij në Dyros, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa është në kërkim edhe nëna e vajzës e cila edhe ajo akuzohet për rrahjen që ka ushtruar tek djali.

Continue Reading

Aktualitet

Dyshohet se kanë kryer disa vjedhje, arrestohen tre shqiptarë në Itali

Autoritet italiane kanë arrestuar ditën e sotme tre shqiptarë. Mësohet se arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata dyshohet se ata janë përgjegjës për disa vjedhje në Tirolin në Itali. Arrestimet u kryen në bazë të një urdhër-arresti nga prokuroria publike e Bolzanos.

Mediat italiane bëjnë me dije se hetimi filloi në shkurt 2024 pas disa vjedhjeve në Tirolin e Jugut. Forcat e rendit kanë arritur të identifikojnë me shpejtësi autorët dhe të monitorojnë lëvizjet e tyre. Gjatë hetimeve janë dokumentuar gjithsej pesë vjedhje, mes të cilave edhe një grabitje e rëndë në Brunico më 18 prill të këtij viti.

Grupi kriminal përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe është i specializuar për vjedhje banesash gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës. Një anëtar i bandës, i konsideruar si një figurë qendrore, rekrutonte ndihmës të tjerë nga rajone të tjera të Italisë, veçanërisht nga Kampania. Ky grup përdorte makina me qira për të shkuar në Tirolin e Jugut dhe për të kryer vjedhjet.

Duke ndërmarrë veprime të shpejta, oficerët e zbatimit të ligjit shpresojnë të kenë parandaluar krime të mëtejshme. Kamerat e vëzhgimit përmenden si një mjet i rëndësishëm për kapjen e autorëve. Si rezultat, oficerët kanë arritur të dokumentojnë aktivitetet e të dyshuarve dhe t’i arrestojnë brenda pak muajsh.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING