Aktualitet
Çfarë ndodhi në shkollën Maarif Elbasan. Të vërtetat dhe të pavërtetat e incidentit
Redaksia e Mexhlis kontaktoi me përfaqësuesit e Maarif Elbasan Campus dhe mori disa informacione shtesë tepër sqaruese për këtë situatë.
Pika e parë është se gjithë situata ka të bëjë me çështjen e sigurisë së nxënësve, për të cilën politika e shkollës Maarif Elbasan është tepër strikte. Në këtë kontekst asgjë nuk mund të futet në shkollë nga persona të paautorizuar, pa u kontrolluar. Për shkak të refuzimit nga ana e nxënësve në fjalë qe duhet ti dorëzonin qeset për ti kontrolluar, drejtori ka reaguar me ashpërsi të tepruar. Ne thelb çështja nuk është e lidhur me ushqimin por me masat parandaluese për hyrjen e sendeve të dëmshme.
Megjithëse më parë janë dhënë paralajmërime dhe është ndaluar në mënyrë të prerë futja e sendeve në shkollë nga jashtë përmes korrierëve gjatë orarit mësimor, si dhe nxënësit janë në dijeni të këtij rregulli, përpjekja për të futur pako ka sjellë një reagim joproporcional. Kjo situatë ka ndodhur pavarësisht paralajmërimeve dhe informimeve të shumta që janë bërë për të parandaluar rreziqe të ndryshme sigurie. Pika më e rëndësishme është se kjo ka ndodhur edhe për shkak të refuzimit për të treguar përmbajtjen e qeses dhe për ta dorëzuar atë.
Pika e dytë është se në disa media eshte thene se drejtori ka goditur nxënësit. Kjo është e pavërtetë pasi drejtori u ka kërkuar nxënësve të dorëzojnë qeset për ti kontrolluar dhe pasi ata kanë kundërshtuar ai u ka marrë menjëherë nga duart dhe në asnjë rast nuk i ka goditur. Në lidhje me këtë veprim janë kontaktuar prindërit e nxënësve në fjalë dhe është bërë informimi i nevojshëm lidhur me çështjen.
Pika e tretë. Pretendimi nga disa media qe shkolla ndalon sjelljenn e ushqimit nga jashtë dhe dëshiron të shesë ushqimin e saj nuk është i vërtetë. Sipas rregullores së shkollës, nxënësit mund të sjellin ushqim nga shtëpia ose të hanë në mensën e shkollës. Gjithashtu, nuk ka asnjë pengesë që një anëtar i familjes ose një person i autorizuar t’i sjellë ushqim nxënësit në shkollë. Duke qenë se marrëveshja për ushqimin bëhet nga nxënësit në fillim të vitit, nuk ka nevojë që gjatë ditës, nxënësit të binden për të ngrënë në shkollë.
Sipas informacioneve të marra nga familjet e nxënësve që ndjekin shkollat Maarif, tarifa që shkolla merr për mëngjesin dhe drekën ditore është rreth 3.8 euro në ditë (afërsisht 700 euro në vit), çka është dukshëm më e ulët krahasuar me ushqimet që mund të sigurohen nga jashtë. Gjithashtu, shkolla ofron ushqim të shëndetshëm dhe me cilësi të lartë.
Sipas stafit, rreth 70% e nxënësve zgjedhin të ushqehen në mensën e shkollës. Askush nuk është i detyruar të hajë aty.
Pika e katërt.Situata e padëshiruar ka ndodhur edhe si pasojë e përpjekjeve të përsëritura dhe demonstrative të disa nxënësve për të sfiduar rregullat. Për këtë arsye, reagimi i drejtorit ka qenë i ashpër dhe ka kaluar kufijtë e masës.
Duhet theksuar se rrjeti i shkollave Maarif është një nga rrjetet arsimore më të investuara në Shqipëri dhe ndër më të avancuarit për sa i përket cilësisë së arsimit dhe disiplinës. Në këto shkolla përzgjidhen mësuesit më të kualifikuar dhe stafi merret nga kandidatët më të mirë në vend.