Politike
Çfarë ndodhi? Qytetari voton për Boçin, votimi nxjerr emrin e Llatjas
Një rast i çuditshëm është raportuar në Elbasan, në një nga qendrat ku po kryhet votimi elektronik, saktësisht në shkollën “Bardhyl Popa”. Në një denoncim të ardhur nga vëzhguesit e procesit zgjedhor, bëhet me dije se votimi elektronik po rezulton të jetë një burim votash për kandidatin e Partisë Socialiste, Gledian Llatja.
Ka ndodhur në disa raste, ku qytetarët kanë votuar për Luçiano Boçin e “Bashkë Fitojmë” dhe vota e printuar, që më pas futet në kuti për tu numëruar, ka rezultuar të dalë për Gledian Llatjan e PS-së.
Bëhet me dije se votimi është ndërprerë në këtë qendër, në pritje të një zgjidhjeje nga të dyja palët.
Sot, më 14 maj shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet e ardhshme. Sipas listës së fundit të shpërndarë nga Ministria e Brendshme, të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 majit e kanë 3 milionë e 650,550 shtetas shqiptarë. Nga këta 122,545 janë qytetarë që e kanë mundësinë për të votuar për herë të parë. Këta qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre në 5,211 qendra votimi në të gjithë vendin.