Connect with us

Sport

Champions League/ Vendos kapiteni Saka, Arsenali mposht 1-0 Atleticon dhe rikthehet në finale pas 20 vitesh

Pas 20 vitesh pritje, më në fund Arsenali ia ka dalë të rikthehet në finalen e Champions League. Për ta bërë këtë, djemtë e Mikel Artetës fituan sot 1-0 kundër Atletico Madridit në ‘Emirates’ për gjysmëfinalen e kthimit dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-1 bëhen skuadra e parë që marrin biletën për në finalen që do të zhvillohet më 30 maj në Budapest të Hungarisë. Sot do mësohet edhe ekipi i dytë që do të dalë nga ndeshja Bayern Munich – PSG (4-5 ndeshja e parë).

NDESHJA – Në ‘Emirates’ ndeshja nisi me dy skuadrat shumë të kujdesshme, por Arsenali ishte më kërkues. Megjithatë për minuta të tëra loja u zhvillua në mesin e fushës dhe miqtë ishin vendosur mirë pas. Duhej minuta e parafundit e pjesës së parë që një shpërqëndrim në mbrojtjen mike nxorri Gyokeres në pozicion të mirë, me sulmuesin që pasoi. Në zhvillimet e aksionit Oblak ndali goditjen e rivalëve, por topi i kthyer përfundoi në këmbët e Bukayo Saka, me kapitenin e Arsenalit që nuk e kishte të vështirë të shënonte nga pranë portës së boshatisur për të dërguar në delir ‘Topçinjtë’.

Në pjesën e dytë Giuliano Simeone kishte një mundësi shumë të mirë për barazimin, por edhe pse me pesë minuta shtesë fitorja foli për Arsenalin që rigjen finalen pas 20 vitesh. Ishte 17 maji i vitit 2006, kur në Paris, Arsenali humbiste 2-1 në finalen e Champions League kundër Barcelonës. Heroi i 20-të viteve më vonë për Arsenalin është një fëmijë i asaj kohe, me Bukayo Saka që asokohe ishte 4 vjeç e tetë muaj. Tanimë Arsenali ëndërron trofeun.

 

Advertisement