Connect with us

Aktualitet

ÇMENDURIA E ÇMIMEVE/ NAFTA “PIKON” MBI XHEPAT E SHQIPTARËVE SI PIKA E FLORIRIT

Çmimi i naftës në tregun shqiptar ka shënuar një tjetër rritje. Nga 215 lekë për litër, që ishte çmimi vetëm katër ditë më parë, nafta tashmë tregtohet me 219 lekë për litër.

Rritja prej 4 lekësh vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të naftës vijojnë të karakterizohen nga luhatje të forta, të ndikuara edhe nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit.

Vetëm pak ditë më parë, një fuçi naftë Brent tregtohej rreth 88 dollarë, ndërsa aktualisht çmimi ka arritur në rreth 92 dollarë për fuçi.

Edhe çmimi i naftës së importuar në Shqipëri ka reflektuar këtë rritje. Sipas të dhënave të cituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nafta e importuar ka kaluar nga 1376 dollarë për ton më 15 gusht, në rreth 1421 dollarë për ton një ditë më parë.

Rritjet e shpeshta kanë rikthyer në diskutim edhe mundësinë e rikthimit të Bordit të Transparencës, mekanizëm që përcaktonte çmimet e karburanteve në vend.

Bordi u ndërpre më 19 qershor, pasi qeveria vlerësoi se situata në tregjet ndërkombëtare ishte stabilizuar.

Por zhvillimet e javëve të fundit kanë sjellë sërish luhatje të çmimeve, të cilat po reflektohen drejtpërdrejt te konsumatorët shqiptarë.

Me naftën që tashmë kushton 219 lekë për litër, mbetet për t’u parë nëse qeveria do të ndërhyjë sërish për të frenuar rritjet e mëtejshme të çmimit.

Advertisement