Kosova
‘Darka e Lamës’/ Darka e Faton Pecit që i kushtoi Kosovës mbi 7 mijë euro
Në fillimin e dhjetorit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, organizoi ‘Darkën e Lamës’.
Pavarësisht se e njëjta ishte organizuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, në muajin tetor.
‘Darka e Lamës’, kësaj radhe e organizuar nga Faton Peci, ishte mbajtur në një prej hoteleve më luksoze në periferi të Prishtinës.
Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Nacionale ka siguruar faturën e shpenzimeve për këtë darkë.
Sipas faturës së dërguar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ‘Darka e Lamës’ i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 7 mijë e 560 euro.
Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se në dark kishin qenë të ftuar akterë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve e ambasadave.
Ministri Faton Peci kishte shkruar pas kësaj darke, duke thënë se kremtimi i saj kthen në vend amanetin e presidentit Ibrahim Rugova.
“Këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës. E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perendisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor. Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë. Sukseset e bujqësisë janë një prej dëshmive më të forta të përkushtimit tonë për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të Kosovës”, kishte shkruar Peci.
Megjithatë, në këtë darkë nuk ishte pjesëmarrëse presidentja Vjosa Osmani. Kabineti i saj kishte deklaruar për media se ky organizim ishte mbajtur nën patronatin e presidentes.
“Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e poashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë. Pra, ashtu siç është nisur nga Presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga Presidentja Osmani”, kishte thënë Bekim Kupina nga kabineti i Presidencës.
Darka e Lamës është festë tradicionale shqiptare dhe ndryshe njihet edhe si “Darka e bereqetit”. Zakonisht, mbahet në fund të muajit tetor kur vjelën punët verore.
Kjo festë e moçme tradicionale u rikthye në skenë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002.
Njihet si e lamës, sepse “lama” ka qenë vendi i rrafshët në fshatra malore, ku janë shirë të korrat, kryesisht të misrit. Ndërsa në fushë ka marrë emrin “darka e fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj.
Zakonisht përveç politikanëve vendorë, në organizimin tradicional fotohen edhe zyrtarë të ambasadave, KFOR-it e intelektualë të tjerë.
Darka e lamës organizohet nën patronatin e Presidentit të shtetit dhe mbledhë figurat më eminente të politikës./ nacionale