Pinknews
Dasëm madhështore pa praninë e të atit? Ilir Shaqiri tronditet nga lajmi për vajzën e tij
Balerini i njohur Ilir Shaqiri ka përjetuar një nga momentet më emocionale gjatë qëndrimit të tij në spektaklin Ferma VIP. Prej më shumë se dy muajsh pjesë e formatit, ai e ka shprehur shpesh mallin për familjen dhe sidomos për vajzën e tij, Emily, të cilën e konsideron pikën e tij më të dobët.
Gjatë spektaklit të së hënës, produksioni vendosi ta vërë balerinin përballë disa lajmeve të rreme, si pjesë e një shakaje. Njëri prej tyre pretendonte se vajza e tij ishte martuar pa praninë e babait. Edhe pse Iliri u shpreh i bindur se Emily nuk do të merrte një vendim kaq të rëndësishëm pa të, emocionet nuk munguan.
Teksa lexonte lajmin, duart nisën t’i dridheshin dhe sytë iu mbushën me lot, duke treguar qartë ndjeshmërinë dhe lidhjen e fortë që ka me të bijën. Momenti preku jo vetëm fermerët, por edhe publikun që po ndiqte spektaklin.
Pak çaste më vonë, produksioni zbuloi se gjithçka ishte vetëm një shaka. Menjëherë pas kësaj, Iliri u surprizua me një takim emocionues me Emily-n dhe partnerin e saj. Mes përqafimeve dhe lotëve të gëzimit, dy të rinjtë ndanë me të edhe një lajm të bukur: ata kanë nisur të studiojnë dhe të mësojnë gjuhën shqipe.
Kujtojmë se Ilir Shaqiri është një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar, i cili fitoi zemrat e audiencës edhe si fitues i edicionit të parë të Big Brother VIP Albania.