Politike
Dashnorët e kandidatit jopolitik/ Alfred Lela: Duhet të na e dini për nder që iu zgjodhëm Florin
Alfred Lela, i cili propozoi Fatos Lubonjën si kandidat për Bashkinë e Tiranës, thotë se tani duhet t’ua dimë për nder, që zgjodhën Florian Binajn, pasi kanë sakrifikuar duke mos zgjedhur kandidat nga PD-ja.
Sipas tij, askush nuk duhet t’i kërkojë më llogari Sali Berishës dhe PD-së.
“Flor Binaj, nje kandidat edhe per ata qe donin te ishin vete!
Në lidhje me parapëlqimin personal për kandidatin e Tiranës, kam qenë publik dhe i hapur, por fakti se nuk fitoi ‘kandidatura ime’, nuk më bën aspak të verbër para asaj se çfarë është kandidatura që u është nisur për konsideratë partive opozitare.
Para së gjithash, Florian Binaj është një djalë i mirë, dikush të cilin nuk mund ta akuzosh për kurrfarë shkelje, etike, morale apo ligjore.
Kjo është shumë e rëndësishme për ata që deri më sot bërtisinin për ‘kandidatin e ndershëm’. Ja ku e kanë!
Një thirrje për partitë e opozitës, të cilat duhet të dëshmojnë se propozimet nuk janë teka dhe as provokime, dhe të mbështesin kandidatin e partisë më të madhe, si një kandidaturë të mirë, pa u menduar dy herë se kush e ofron
Së dyti, për ata që kanë ofrur emra apo janë vetëofruar: nëse ndahen nga beteja e përbashkët opozitare për Tiranën, dëshmojnë se tekat apo parapëlqimet janë më të rëndësishme se parimi dhe beteja.
Nuk mendoj se kjo është një dëshmi që duan të lënë në publik.
Së treti, Partia Demokratike, për lehtësimin tim më së pari, por edhe shumë të tjerëve besoj, ja ku e ka më në fund një kandidat jashtë radhëve të veta. Ky është një lëshim jo i vogël i forcës më të madhe opozitare në vend, dhe nëse nuk ia dimë për nder, të paktën duhet t’ia njohim.
Dashnorët e ‘kandidatit jopolitik’, ja ku e kanë. Tani nuk mund t’i kërkoni më llogari as PD dhe as Berishës. Erdhi koha që t’i kërkoni llogari Ramës dhe atyre në pushtet.
Në të kundërt dëshmia që do lini në publik është e hipokrizisë.
Në fund, Flor Binaj duhet të veshë, që sot, çizmet e fushatës dhe ta kuptojë se ajo bëhet baltrave të fshatrave, papastërtive të periferisë, luksit të Bllokut, por edhe vanitetit dhe marrinave të studiove televizive.
Siç thonë, bota është portokalle, Portokallia u bë për shumë vite bota e një pjese dërrmuese të shqiptarëve, por ky është rasti për të dëshmuar se ‘Orange is the neë black!’”, thotë Lela.